NGA ERJON SKËNDAJ*

TIRANË- Duhet të ishte në shkollë si të gjithë bashkëmoshataret e tij por një formë agresive e leucemisë akute e ka mbërthyer pas shtratit të spitalit. “Më dhemb shumë kurrizi” ankohet Argjendi i vogël. Është vetëm 8 vjeç dhe quhet Argjend Ziu. Prindërit nga fshati Rërëz, Kutalli në Berat kanë një muaj që kanë braktisur shtëpinë për të qenë pranë fëmijës së sëmurë që mbahet i shtruar në shërbimin e onko-hematologjisë në pediatrinë e QSUT-së.


Deri para një muaji familja Ziu nuk e njihte brengën e madhe që do ta përplaste në dyert e spitaleve dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Sot e vetmja shpresë për jetën e djalit të vogël të shtëpisë mbetet transplanti i palcës së kuqe.

Me lot në sy nëna e fëmijës, Mirela tregon sesi pas interesimit në spital i është thënë që kura e vetme për fëmijën është transplanti i palcës që realizohet në Itali po për operacionin kërkohen 120 mijë euro që familja e varfër nuk i siguron dot.

“Kurimi më i mirë bëhet në Itali por është shumë i kushtueshëm. Dërguam njerëzit tanë dhe na thanë se kurimi i parë kushton deri në 80 mijë euro, pastaj po pati nevojë për transplant të palcës arrin në 120 deri në 140 mijë euro. Ne nuk e përballojmë dot me aq lekë sa janë grumbulluar në bankë janë shumë pak nga sa kërkohen”, thotë nëna e vogëlushit Mirela Ziu

Të lodhur nga pritja e kthim-përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë, prindërit e Argjendit i bëjnë apel qytetarëve të thjeshtë për të kontribuar financiarisht përmes numrit të llogarisë të hapur në Raiffeisen Bank, në emrin e fëmijës Argjend Ziu.

“Kemi takuar edhe vetë Ministrin e Shëndetësisë dhe na premtoi se së shpejti do ta dërgojmë djalin në Turqi. Pritëm sa, po bëjmë një muaj dhe nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje. Gjendja e fëmijës sa vjen dhe rëndohet dhe ne po mundohemi që ta nxjerrim jashtë vendit sa më shpejt aq më mirë”, shprehet tepër i prekur gjyshi i fëmijës Ymer Ziu.

Duke shpresuar për ndihmë, nëna e 8-vjeçarit përsërit apelin: “I lutem të gjithëve me sa mundësi kanë të na ndihmojnë që ti shpëtojmë jetën djalit”.

Për ti ardhur në ndihmë familjes së sëmurë mund të kontribuoni përmes numrave të llogarisë të hapura në emër të fëmijës së sëmurë Argjend Ziu, në Raiffeisen Bank,  0021122792 në euro,  0011122792 në lek, ose të kontaktoni me familjen Ziu përmes nr. të cel. 0686948030

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: