TIRANE- Shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT ka kryer sot për herë të një operacion për heqjen e masës tumorale duke mbajtur zgjuar dhe komunikuar me pacientin.

Kjo ndërhyrje në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT është kryer sot tek një 30 vjeçare, nga pionieri i ndërhyrjeve me kranitiomi, profesori nga Londra Henri Marsh, i cili ka kryer 400 ndërhyrje të tilla në Europë, si dhe profesor doktor Mentor Petrela, së bashku me ekipin e tij.

Profesori Marsh shpjegon se pacienti mbahet zgjuar gjatë ndërhyrjes për të mos dëmtuar asgjë. Siç shpejgon doktori anglez, gjatë këtij operacioni shkohet thellë në pjesë përgjegjëse të trurit, që lidhen me funksionin e të menduarit, shikimit apo lëvizjen e gjymtyrëve.

I njëjti operacion u krye edhe një ditë më parë tek një djalë, dhe të dy pacientët do të qëndrojnë vetëm 3 ditë në spital.

Shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë Prof. Dr. Mentor Petrela thotë se kjo eksperiencë e profesorit Henri Marsh, do të shërbejë për të operuar të tjerë pacientë që kanë probleme neurologjike, përfshirë edhe epilepsinë, tumoret apo dhe dëmtime të tjera të trurit.

Profesor Henri Marsh,  ka ngjallur dhe interesin e një ekipi gazetarësh nga “New York Times Magazine”, të cilët kanë realizuar një reportazh të zgjeruar në lidhje me dy operacionet, që ai kreu në Shqipëri, duke ndjekur çdo hap të tij.

Ndërkohë, profesor Marsh është pritur sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ka dhuruar “çelësin” e Tiranës.

“I lumtur që i dorëzova “Çelësin e qytetit” neurokirurgut, aktivistit humanitar dhe autorit Dr. Henry Marsh. Është çdo verë në Tiranë për të operuar pa pagesë disa nga rastet më të vështira të tumorit në kokë, duke shpëtuar jetë të qytetarëve të Tiranës.

Prej vitesh Dr. Marsh ka ‘depërtuar’ jo vetëm në kokat, por edhe në zemrat e mijëra pacientëve”, shkruan Veliaj në “Facebook”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: