Kamera e “News24” ka shkuar në Kuç të Vlorës për të parë nga afër si merret qumështi i bletës dhe për të mësuar nga specialist i bimëve mjekësore Ylli Merja për vlerat që ka trajtimi i organizmit me këtë përbërës natyral. Moderatorja e emisionit “Vila 24” në “News24” Androniki Kolka duke biseduar me bletërritës, zbulon se në këtë zonë të vendit vjelja e qumështit të bletës bëhet me mjete artizanale dhe jo më shumë se 3 herë në vit. Mjalti i parë në Kuç të Vlorës merret nga bletë të cilat kanë marrë nektar nga tërfili, më pas nga rigoni, lulegjembi, rigoni i egër, trumza e në fund mareja.

Në procesin e marrjes së qumështit, me rëndësi është nxjerrja e larvës nga hojëzat dhe ruajtja e produktit në temperatura të ftohta. Nëna mbretëreshë është ajo që ushqen me qumësht larvat, të cilave u merret ky qumësht për përdorim të gjerë. Merja thotë se xheli mbretëror përmban rreth 100 gr proteina, karbohidrate, amoniacide dhe vitamina. Ai veçon vitaminën B3 e cila ushqen e rikuperon sistemin nervor. Sipas Merjas, qumështi përdoret për trajtimin e fëmijëve epileptikë, talasemikë apo dhe autizmin.

Po ashtu ai e këshillon edhe për rastet kur një person ka ngarkuar trupin me antibiotikë, kur kemi të bejmë me probleme të formulës së leukociteve apo çrregullime hormonale. Sasia e caktuar e qumështit të bletës vendoset poshtë gjuhës në mëngjes pa marrë ushqime të tjera me qëllim që përthithja të bëhet më e shpejtë. Qumështi i bletës përdoret edhe në kozmetikë, i përpunuar apo jo ai ka veti antirrudhë, ushqyes dhe pastrues.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb