Nga Fatmira NIKOLLI
Gudar Beqiraj, kryetari i zgjedhur po i pa dekretuar i Akademisë së Shkencave, ishte ulur vetëm në “Aleks Buda”. Nënkryetari i dorëhequr, Muzafer Korkuti, nuk ishte i pranishëm. Në një sallë me një grusht akademikësh, që prej më shumë se një jave janë nën presion, u mbajt mbledhja e Asamblesë. Shkencëtarët dilnin një e nga një në podium për të bërë propozime a për të dhënë mendime, mbi Akademinë, ç’ ka qenë, ç’ është e ç’do bëhet. Si një përgjigje e rrufeshme ndaj presioneve të kryeministrit për reformë ose shkrirje, Akademia e Shkencave ka ngritur dje një komision të posaçëm prej 12 akademikësh. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, u propozuan dhe u votuan 12 akademikë, anëtarë të Asamblesë dhe nderi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Arbëreshët e Italisë, për zgjidhjen e përplasjes mes qeverisë dhe Akademisë së Shkencave. Duke pranuar problemin që bart prej vitesh institucioni, si edhe keqardhjen për atë që u quajt “diskreditimin” e këtyre ditëve, anëtarët e Asamblesë, ranë dakord që ky komision të ketë mandat të plotë përfaqësimi dhe negocimi nga Akademia për të gjitha çështjet e reformës institucionale të kërkimit shkencor. Nëse të 12 emrat pranojnë, për dy javë, ata do të hartojnë një propozim mbi si duhet të jetë Akademia e së nesërmes. Komisioni i propozuar përbëhet nga anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave: Apollon Baçe, Artan Fuga, Anastas Angjeli, Anesti Kondili, Aurela Anastasi, Floran Vila, Jani Thomai, Neki Frashëri dhe Luan Starova, zëvendëskryetar i ASH -Maqedoni, Ali Aliu, zëvendeskryetar i ASH-Maqedoni, akademik nderi Matteo Mandala, Universiteti i Palermos e anëtarja e nderit të ASH-së, prof. dr. Mira Mezini, Univ.Darmshtat, Gjermani.
NË EMËR TË KOMISIONIT
Akademiku Apollon Baçe i pyetur nga media se si do të funksionojë ky komision, tha se “Jemi të ndërgjegjshëm dhe në takimin që kemi pasur me kryeministrin kam folur i pari dhe kam thënë që ka lokomotiva, po ka dhe vagonë, por nuk ka trena, që do të thotë se nuk ka ndërlidhës të institucioneve me akademinë. Nga ana tjetër, fondet kanë qenë shumë të pakta. Ideja ime do të ishte që të mos ishte në hava, por të varej nga kryeministria që do të jepte fonde. Ne do të japim idetë tona. Do të fillojë puna menjëherë, brenda javës, do të nxjerrim një platformë dhe do ta hedhim për diskutim në Asamble”.
Sipas tij, që të ketë një akademi duhet që të ketë institucionet e saj, ose të paktën të ketë fonde që të mund të ketë projekte. I pyetur për modelet, ai tha se janë dy. “Modeli i sotshëm që nuk funksionon, modeli i dikurshëm që kishte institutet që funksiononte. Përpara 10 viteve u ndërhy nga ana e qeverisë, u bë një reformë gjysmake dhe e kam thënë që më e keqe se një reformë e keqe është një reformë gjysmake. Personalisht jam për modelin e parë atë që funksiononte “back in the future”. Ndërkaq, institutet janë pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, ndaj i pyetur nëse ato do pranojnë, Baçe, tha se “Institutet janë ushtarë të bindur do bëjnë si u thuhet. Nëse do t’u thuhet të kalojnë nën akademinë do kalojnë. Unë kam qenë drejtor Institutit të Monumenteve, ka qenë dhe ai i arkeologjisë. I yni kishte personel më të mirë se ai i arkeologjisë, por funksiononte më keq, sepse varej nga Ministria e Kulturës, kurse ai tjetri varej nga Akademia”. Sa i takon deklaratës së kryeministrit Rama, Baçe tha se nuk e sheh gjendjen kaq alarmante. “Kryeministri tha, po nuk u bë reforma do hiqen fondet, atëherë ne po fillojmë reformën. Ose të paktën po japim mendimin tonë”. Por, kush do e bëjë reformën? Për Baçen, që të kërcesh tango duhen dy vetë, edhe kryeministria edhe akademia. “U fillua dikur me Paskal Milon, po se ku ngeci, nuk e di, nuk e kam të qartë. Të paktën neve nuk mund të na thuhet se nuk u përgjigjëm”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb