TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaron se kapja e drejtësisë nga rilindja është fakt dhe se propaganca kontraston me realitetin.

Në një postim në “Facebook”, Vasili rendit çështjet që nuk presin më dhe ato që i quan shkelje. Sipas tij, reforma dhe problemet kritike të saj zgjidhen vetëm duke u mbështetur në ndryshimet Kushtetuese të 21-22 korrikut 2016, ku votimi me 140 vota i hapi rrugën zbatimit të drejtë, për një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe të pandikueshme nga asnjë faktor vendas apo i huaj.

POSTIMI I PLOTË
Reforma në Drejtësi nuk shpëtohet nga kapja me propagandë dhe emulacion socialist!
Tonelatat e propagandës dhe të pseudooptimizmit qesharak kontrastojnë fort me realitetin e Drejtësisë në Shqipëri dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Qytetarët nuk po marrin drejtësi.
Qytetarët rrezikojnë realisht, që të të marrin shumë vonë drejtësi dhe dihet që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar
Kapja e drejtësisë nga rilindja është fakt dhe sado që propaganda të lodhet është e kotë sepse këtë kapje skandaloze nga rilindja e shohin të gjithë shqiptarët.
Problemet kritike të zbatimit të Reformës në Drejtësi nuk i zgjidhin as stahanovizmat e rrema dhe as emulacioni socialist me personazhe të diskredituara të drejtësisë së vjetër të konvertuar në drejtësinë e “re”.
Problemet e vërteta ja ku janë, duan zgjidhje urgjente për të kthyer besimin e tronditur të qytetarëve.
Këto probleme duan përgjigje dhe kushdo që e pengon këtë apo bën alibinë e moszgjidhjes së tyre është bashkëfajtor me rilindjen për rrënimin e ëndrrës së shqiptarëve për një drejtësi të re.
Ja çështjet që nuk presin më:
1. Institucionet e reja u ngritën me shkelje skandaloze të ligjit duke filluar nga KLP dhe KLGJ, ku u zgjodhën anëtare të tyre gjithfarë personash në dhunim të hapur me l ligjin:
a. disa, që ONM i rrëzoi si të padenjë,
b. disa, që kishin qenë spiunë të sigurimit,
c. disa, që kishin bërë gjyqe politike në kohë të komunizmit,
d. disa, që kishin bërë evazion fiskal.
2. Prokurorja e përgjithshme u zgjodh pa veting dhe me 69 vota nga 84 duke dhunuar rëndë Kushtetutën.
3. KED u bllokua për një kohë të gjatë në dhunim të kushtetutës dhe ligjit me qëllimin e vetëm atë të kapjes së tij nga rilindja.
4. Afatet kushtetuese të Reformës në Drejtësi të votuar në 21-22 korrik u shkelën të gjitha.
5. Konkurrimi për vendet e reja ishte shpesh fiktiv, pa garë dhe pa numrin minimal të konkurrentëve për çdo post, duke bërë kontrollin e procesit nga rilindja, duke ulur dukshëm cilësinë dhe duke realizuar thjesht mbushjen e vendeve dhe kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
6. SPAK dhe BKH filluan funksionimin pa numrin e ligjshëm të anëtarëve të tyre.
7. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Larte janë sot pa numrin e plotë të funksionimit të tyre duke kaluar çdo afat kushtetues.
8. Gjatë procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese u vërtetua tentativa mafioze për të rrëmbyer anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që ishin kompetencë e Presidentit.
9. Dhjetëra Ligje të Reformës në Drejtësi janë ndryshuar ende pa filluar akoma funksionimi i tyre, në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me Komisionin e Venecias, me nisma të qeverisë dhe me një parlament jolegjitim.
10. Asnjë strategji nuk u hartua për të zgjidhur kolapsin total të sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet ku mungesat në personel janë kritike dhe ku dhjetëra mijëra dosje kanë mbetur pa u trajtuar që nga Gjykata e Lartë me 36 mijë dosje e deri tek Gjykatat e të gjitha niveleve ku mbi 50 mijë të tjera janë bërë stivë.
11. Vetingu me standarde të dyfishta u kritikua hapur nga Komiteti i Helsinkit që shprehej:
“vëzhguesit e KSHH-së kanë evidentuar raste sporadike të standardeve të dyfishta në vendimmarrjen e KPK-së, ndaj kemi mendimin se praktika e vettingut ka nevojë të konsolidohet. Procesi i rivlerësimit është bazuar kryesisht në kriterin e pasurisë, duke mos pasur në konsideratë edhe dy kriteret e tjera: atë të vlerësimit të figurës dhe të aftësive profesionale”, thoshte Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Faktet janë kokëfortë dhe heshtja vetëm e rëndon situatën dhe pesimizmin.
Reforma në Drejtësi nuk zgjidhet me arna të akaparuara nga Rilindja.
Reforma dhe problemet kritike të saj zgjidhen vetëm duke u mbështetur në ndryshimet Kushtetuese të 21-22 korrikut 2016, ku votimi me 140 vota i hapi rrugën zbatimit të drejtë, për një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe të pandikueshme nga asnjë faktor vendas apo i huaj.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb