TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për situatën nga coronavirusi dhe masat e marra nga vendi ynë për të përballur një rënie të mundshme të këtij virusi që ka rënë edhe në vendet fqinje.

Kreu i qeverisë deklaroi se rekomandimi për të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura është që të telefonojnë 127 nëse ndiejnë një shqetësim për t’u asistuar atje ku ndodhen. Ai tha që qytetarët duhet të ndjekin vetëm burimet zyrtare.

“Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhra për masat higjieno-sanitare. Në këtë situatë me përhapjen në disa shtete janë rekomanduar qytetarët të evitojnë udhëtimet jo të domosdoshme në zonat e prekura. Dua të mbyll duke përfituar nga mundësia për t’u komunikuar të gjithëve që na ndjekin me shprehjen e nevojës për qetësi dhe për të mos e lënë veten të çoroditemi nga burimet e infodemisë, nga debatet absurde të mbrëmjeve mediatike që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, nga klikimet në burime të absurditetit informativ që me papërgjegjshmëri të plotë shpërndajnë lajme të rreme dhe rrisin efektin shumë të rrezikshme të infodemisë duke krijuar ankth e panik. Të gjithë jemi këtu, jemi në familje, kemi fëmijët tanë e më të moshuarit. Unë ju them të gjithëve ndiqni vetëm burimet e informimit zyrtare! Ballafaqohuni me burimet e informimit zyrtar”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se burimet alternative në raste si ky, janë të pakëshillueshme. “Ka disa të dhëna që e bëjnë pak më të lehtë përballimin e kësaj situate. Është një virus që prek kryesisht ata që janë shumë të moshuar dhe që kanë probleme shëndetësore ekzistuese. Është një virus që përballohet pa pasoja dramatike përgjithësisht nga më të vegjlit dhe ata që kanë një organizëm të shëndetshëm. Fakti i konfirmuar nga OBSH se 97% deri tani të të prekurve shërohen. Pra nuk jemi përpara një murtaje mesjetare që ka ardhur të fshijë nga faqja e dheut gjysmën e njerëzimit. Jemi përpara një virusi me potencial rreziku të konsiderueshëm dhe nuk e kemi nënvlerësuar. Më shumë besim sepse është i nevojshëm. Më mirë t’u referohemi pikave ku marrim besim se sa pikave ku marrim helmim. Besim në kuptimin e së vërtetës së thjeshtë që si gjithë të tjerat edhe kjo do kalojë. Do e kalojmë së bashku, me kuptim, me përkushtim maksimal nga ana jonë, nga ana e profesionistëve të përfshirë dhe me besim. Më mirë të mbyllni kompjuterët, telefonat dhe të dëgjoni Papa Franceskun, t’i referoheni Biblës apo Kuranit se sa të humbisni kohë me lloj-lloj marrëzisht që njerëz me ligësi organike shpirtërore shpërndajnë duke bërë atë që është çnjerëzore përveç se nga ana profesionale tërësisht e padobishme”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb