TIRANË

Në bashkëbisedimin për mediat, kreu i shtetit Ilir Meta komentoi edhe ndryshimet e ligjeve të reformës në drejtësi, për të cilat tha se ‘ për cdo ligj me probleme kushtetuese do të ketë një përgjigje të qartë shteruese’.

Sa i përket kandidimit të shefes së Infektivit Najada Çomo dhe inxhinieres së njohur Luljeta Bozo nën siglën e PS për zgjedhjet e 25 prillit, Meta tha se si President i Republikës nuk mund të komentojë zgjedhje të tilla, por theksoi se është e rëndësishme që partitë të zgjedhin kandidatë me sa më shumë integritet.

“ Sa u takon kandidimeve të forcave të ndryshme politike, këto nuk janë në interesin tim.

Në interesin tim si President i Republikës, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve te përfaqësuesit e tyre, që ata të mbrojnë interesat e qytetarit, interesat e publikut, të mbrojnë interesat kombëtare në Kuvendin e ardhshëm, është shumë e rëndësishme që të jenë figura me sa më shumë integritet.

Dua të theksoj rëndësinë që qytetarët të shikojnë me vëmendje listat e çdo force politike që ata preferojnë, dhe njëkohësisht që ata të votojnë në ato lista për kandidatin apo kandidaten që ata besojnë se ka integritetin më të lartë për të përfaqësuar interesat e tyre në Kuvendin e ardhshëm.

Në këtë mënyrë do t’u japin një mesazh të qartë të gjithë kryetarëve dhe kryetareve dhe të gjitha forcave politike se cilët janë deputetët që ata vërtet duan dhe dëshirojnë t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.” u shpreh Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb