NGA ARTAN FUGA*
Ku do t’i gjejnë lekët qytetet për të modeluar qytetin e së ardhmes?
A mos do të zvarritemi gjithë jetën në qytete fshat?
Fshat në kuptimin katunaresk, sepse fshatit europian nuk i vijnë as të kërciri edhe qendrat e qyteteve tona.
Duhen buxhete, ku do t’i gjejnë ?
Por, cfarë të bëjmë kur në rubinete kemi ujë jo të pishëm?
Ose nuk kemi ujë fare!
Cfarë të bëjmë që s’kemi kanalizime për qytetin inteligjent dhe fijet e lidhjeve Internet etj, i kemi si lesh arapi mbi kokë?
Kur do të kemi stacione autobuzi inteligjente ku në mënyrë elektronike të afishohen oraret?
Kur do të kemi një stacion treni që nuk duket si ata që transportonin cifutët polakë në Treblinka për t’i djeg?
Cfarë do të bëjnë bashkitë e mëdha kur tani kanë mbi kurriz edhe urbanizimin e fshatrave? Akoma me ujë pusi do t’i lemë?
Si do të rregullojmë gropat e rrugëve, trotuaret e shkatërruar, si do të përpunojmë plehrat me impiante moderne?
Si do të përpunohen ujrat e zeza?
Ku do të gjejmë lekë për stadiume, fusha të blerta, mbjellë pemë që nuk thahen pas një vit?
Si do të rinovohen tarracat e pallateve të qytetit, e ndërkohë përballë këtyre detyrave të akumuluara në vite detyra bëhet pothuajse një gur Sizifi e buxheti duket i tejfalimentuar?
Si do të hapim rrugë për energjitë e reja, solare, naftën, gazin, etj? Do t’i çajmë edhe njëherë ndërtesat?
Si do të mbështeten përtej supës të turpit familjet në nevojë?
T’i mbledhi taksat vendore qeveria dhe pastaj tua shperndaje njësive vendore?
E kuptoj këtë dëshirë të mirë në kushte emergjence, por nuk është zgjidhje. Kjo do ta bënte akoma më të papërgjegjshëm pushtetin lokal për të krijuar burime taksimi, sepse çdo gjë do të prasi nga shteti, kurse taksat do t’i harxhojë pa nikoqirllëk.
Do zvarrisemi gjatë, shumë gjatë, në këtë halenë tonë të përbashkët.
Cfarë të bëjmë??? Hall i madh na ka rënë mbi kokë. Na ka zënë qyteti brenda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb