NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Ripopullohet Qyteti Studenti në prag të nisjes së vitit të ri akademik. Dy ditë para fillimit të universitetit numri i të regjistruarave i ka kaluar 2500 studentë por sërish poshtë pritshmërive dhe kapaciteteve që ka kjo qendër rezidenciale. Megjithëse mbetet jo shumë e preferuar për banim, krahasuar me një vite më para drejtoresha Anila Shehu flet për një rritje të preferencës nga na e meshkujve, të cilët alternativë më parë kanë pasur shtëpitë me qira.

“Regjistrimet kanë filluar që më 1 shtator, që të bëjnë pagesat në qytetet e tyre dhe të vijnë deri në 12 tetor. Këtë vit ka rritje të numrit të djemve në konvikte. Kemi 2500 të regjistruar nga 5000 që është kapaciteti, por fillon edhe masteri dhe ne presim serish studentë”, tha Shehu.

Pagesa e strehimit edhe këtë vit mbetet e pandryshuar 45 mijë lekë por për të lehtësuar procedurat, një aplikacion i ri online mund të përdoret nga studentët për të zgjedhur godinën dhomën dhe bashkëjetuesit.

“Ka një risi, aplikacion online për të lehtësuar radhët e studentëve. Aplikacioni mund të përdoret nga një qendër interneti, zgjedh konviktin, dhomën dhe grupin shoqëror dhe brenda 36 orësh duhet të bëjë pagesën në bankë”.

Preferenca e ulët për një dhomë në konvikt është një trend në rritje prej vitesh për shkak të mungesës së investimeve dhe kushteve jo shumë të mira por nga viti që vjen një fond prej 4.5 milionë euro i qeverisë gjermane do të sjellë ndryshimin që pritet.

“Qeveria gjermane, kancalerja Merkel, i kanë bërë dhuratë Qytetit Studenti 4.5 milionë euro dhe ne jemi duke punuar me KFV për ta vënë në jetë atë rikonstruksion të pritshëm prej vitesh në Qytet Studenti. Jemi në rrugë të re, shpresojmë që vitin që vjen të fillojë rikonstruksioni i dy godinave. Ne tani kemi një masterplan të ri, e kemi më të lehtë se kemi plan rregullues dhe mbi të zhvillojmë kampusin e vërtetë të Tiranës”, vijoi Shehu.

Masterplani i ri për qytetin Studenti do të thotë më shumë standard në investimet që do të kryhen duke ulur numrin e studentëve rezidentë dhe rritur cilësinë e akomodimit. E derisa të ndodhë në terren zbatimi i projekteve, studentët duhet të jetojnë me kushtet jo pak të vështira.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: