Një ngjarje e rëndë tronditi sot Shkodrën, ku një fëmijë u transportua me urgjencë nga kalimtarë të rastit, pasi u gjet i aksidentuar në rrugë.

Bëhet fjalë për 5-vjeçarin me inicialet S. K., i cili po trajtohet në Spitalin Rajonal Shkodër, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Mjeku i Urgjencës, Astrit Lahi në një prononcim për gazetarin Senad Nikshiqi tregoi detaje nga gjendja e të miturit. Lahi tha se 5-vjeçari ka marrë plagë kryesisht në pjesën e pasme të kokës, ndërsa gjendja e tij paraqitet e rëndë.

“Gjendja e fëmijës është e rëndë, si pasojë e një traume të pësuar. Djali ka ardhur në urgjencë pa koshiencë. Është gjetur nga një qytetar në rrugë, pa një identitet. Ishte paraqitur me një plagë pas koke dhe me probleme në frymëmarrje dhe koshiencë të kompromentuar. Iu dha ndihma e shpejtë. Gjendja e tij pësoi një farë përmirësimi, por do të shohim se si do të shkojë. Aktualisht gjendja e fëmijës është më prognozë të rezervuar dhe ai është shtruar në reanimacion. Është herët të flasin, pasi paraqet shenjat e një konvolcioni cerebral. Duhet të kalojnë disa orë. E sollën qytetarët që e kishin gjetur në rrugë, të vetëm. Nuk kishim informacion për identitetin e fëmijës. Më pas është paraqitur i ati, i cili tha se fëmija kishte rënë nga dritarja e makinës. Dëmtimet i ka në pjesën e pasme të kokës. Ka një plagë në pjesën parietale dhe një hematomë në pjesën oksipital, zona të rezervuara. Jemi herët për të folur, shpresojmë për më mirë.”, tha mjeku.
Kujtojmë se djali udhëtonte në mjetin e babait të tij, shtetasit me inicialet H. K. 50 vjec, ku ishin dhe 3 fëmijë të tjerë, ndërsa në rrethana ende të paqarta ai u rrëzua nga dritarja e makinës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb