“Nuk e përdor dot fjalën kthim apo rikthim, sepse e kam me vete gjithmonë Spaçin. Kur vjen te ky vend ngjallen detaje e kujtime, por është pjesë e memories që punon përditë. Janë gjëra të jetës që nuk shkëputen asnjëherë nga mendja. Është vend jete. Kam ndjenja të përziera. Një prej ndjenjave që më shoqëron është degradimi e lënia e këtij vendi në gjendje rrënoje dhe shkatërrimi i vendit të vuajtjes që është miniera”.

Nga tarraca ku për 9 vite rresht i përgjigjej apelit si i burgosur politik, Fatos Lubonja flet për Spaçin brenda tij, atë të kujtimeve që ende pushtojnë qenien përtej vendit e kohës.

Tarraca e Apelit të kahershëm tani shërben si agorë e bisedave të vizitorëve në kampin burg vendosur mes kodrave të zhveshura mbi Reps në Mirditë. Në qendër, dy instalacione me kazma e sëpata që qenë përdorur si mjete pune, të kujtojnë trupat e atyre që s’janë më- të burgosurit që u përdorën për minierën.

Shkrimtari, analisti dhe ish i burgosuri politik Fatos Lubonja ka çelur një ekspozitë në ish burgun e Spaçit. Nën titullin “Fraktura”, ekspozita sjell objekte, imazhe dhe instalacione të realizuara nga Lubonja dhe Ardian Isufi në hapësirat e Spaçit me mbështetjen e fondacionit “Konrad Adenauer” dhe kurator, Elton Koritarin.

Në një intervistë për “News 24” ai e rrëfen Spaçin ne hapësirat e Spaçit, duke kujtuar, personazhe e ngjarje duke ju dhënë tingujve e frymëmarrjeve peshën e kujtimeve.

“E mbaj mend me karakollë e ushtarë. Aty poshtë ishte shtegu ku ngjiteshim lart. Më vjen keq që nuk është ruajtur. Duhej ruajtur. Kujtoj zgjimin në orën 05:00 për të shkuar në minierë, ndarjen e punës në tri turne për të shkuar në galeri. Janë zona e apelit, e fjetores, e infermierisë, e mensës. Është pjesa e dhunës së përditshme, e shtrëngimit të përditshëm”, kujton Lubonja.

Ai vëren se ushqimi ishte tri llojesh, “600-sha, sipas sasisë së racionit të bukës, që ishte 650 gram që ndahej në tri vakte me dy supa me 2.5 vaj e çaj. Ky ishte ushqim urie dhe ushqimi që jepej kur futeshe në biruca. 800 gram ata që punonin në sipërfaqe dhe ata që punonin më minierë merrnin 900 gram bukë”.

Në të njëjtat hapësira ai kujton edhe miqtë e dikurshëm, gazetarët Vangjel Lezho e Fadil Kokomani, kujton gjyqin që ju bë pas dënimit të tyre dhe fotografitë që ju sollën pasi u vranë. Mes objekteve të ekspozitës, Lubonja sjell “lopatën” e Xhelal Beut apo letrat e duhanit ku ai shkroi romanin “Ploja e mbrame” në burgun e Burrelit duke e ruajtur në shpinën e një fjalori. Mes objekteve të tjera, janë ganxhat, kushinetat dhe mjetet e punës ne Spaç. Dhoma e infermierisë i sjell në mendje një mik të humbur që e pa për herë të fundit në atë dhomë. Në një tjetër, Lubonja ka ndërtuar një flamur me tela me gjemba nga Spaçi mbi të cilin vë yllin komunist.

Një bisedë për Spaçin në Spaç ka një ngarkesë të fortë emocionale. Nga 17 vite burg, ai kreu 9 në Spaç dhe secila hapësirë bart kujtime. Diku janë hapa, diku tinguj, diku zhurma, ai kujton çizmet e pecet e tyre, netët e ftohta e të dimrit deri në -17 gradë e ditët po aq të ftohta e pa ngrohje. “Ka shumë që kanë vdekur këtu. I ftohti ishte një nga torturat. Dimri kishte borë gjithnjë. Batanijet na i hiqnin në orën 5 të mëngjesit dhe na i jepnin në orën 9 të darkës vetëm për të fjetur. Mezi i fusnim batanije fshehurazi. Rrinim kurriz më kurriz për të pakësuar sipërfaqen e ajrit. Zjarr nuk ka pasur. As soba me dru”, tregon Lubonja.

Nuk i vë faj askujt, as vetes dhe as të atit.

Ende sot, ai nuk e sheh revoltën e Spaçit, si vepër të Sigurimit te shtetit. Për Lubonjën ai akt rebelimi kishte peshë në një kohë që u parapri nga një erë liberalizmi.

“Qëllon ngrihen, vlon diku, në atë rast ishte një padrejtësi që iu bë një të burgosuri. U bë një rebelim që nxorën policinë jashtë dhe më pas u rrethua me ushtarë dhe përfundoi siç e dimë, me 4 të vrarë dhe 70-80 veta te dënuar. Lindi spontanisht ajo revoltë. Të burgosurit ishin më të lirë përpara”.

Në kampin e vendosur në mes të “asgjësë” ishte e vështirë të ikje. Përpjekje për arratisje megjithatë pati por përfunduan me të vdekur. I dënuar me burg, me familjen në internim, me frikën për të nesërmen, me frikën e rindënimit, në Spaç, lufta më e madhe ishte të mbeteshe gjallë dhe të mos humbje mendjen.

“Takimet me familjen ishin shumë të rëndësishme, të mbante të lidhur me jetën jashtë. Mbante gjallë dashurinë e shpresën. Nëna ime më mbajti gjallë me letrat, me komunikimin duke më përshkruar fëmijët duke u rritur. Më shkruante katër letra në muaj dhe nga 4 faqe. Shpërndarja e letrave këtu ishte ngjarje. Letrat sigurisht censureshohin por do shkruaje ato që mund të shkruaje”, kujton ai.

Por si mbijetoi Lubonja? A e ndihmoi racionaliteti të ruajë mendjen dhe a ishte strategji ky racionalitet? Vetë ai ruan ftohtësinë duke shfaqur sa nevojën për të lëshuar veten po aq domosdoshmërinë për të mos e bërë ndërsa përgjigjet.

“A mbijetohet? Po mirë, a kem mbijetuar vallë? Njeriu sidoqoftë ndërtonte strategjitë e rezistencës. Racionaliteti është mekanizëm mbrojtës. Nganjëherë njeriu ka nevojë të qajë. Pse të mos të qash? Jemi produkt i kulturës por forcimi i racionalitetit ka qenë një lloj kontrolli distance për të mos u mbytur në të qara. Thotë Spinoza: mos u qa, mos u anko, mos urre-kupto. Të kuptosh është e rëndësishme por ka problemin e vet, anën emocionale se njeriu ka nevojë të jetojë edhe në mënyrë emocionale.

Kur pyetet se sa e vështirë është për një baba të flasë për burgun e kujtimet në të, në sytë e vajzës, Lubonja flet për një fëmijë që u përball hap pas hapi me komunizmin. “Vajza ime Teti, erdhi vetë këtu (në ekspozitë). Kur unë hyra në burg, ajo ishte 1 muajshe. Ajo ka jetuar në internim dhe i ka ditur gjërat. Kanë ardhur vetë këtu, na kanë takuar ne. I kanë bërë këto rrugë në këmbë. I ka sjellë mamaja ime, vëllai, ish gruaja. Edhe ato i kanë pasur traumat e tyre dhe nuk duan t’i kujtojnë disa gjëra, nuk është e lehtë”.

Në ekspozitë Lubonjë flet për asgjësimin e mrekullisë së jetës dhe krah saj, në intervistë për dashurinë që në ngrehinat e burgut, ndihej më fort se kudo.

“Vetë dashuria, sipas Platonit, dashuria është mungesë. Ne duam diçka që na mungon. Si mungesë e ndjeje shumë më tepër, mungesën e fëmijëve, të jetës. Mrekullia e jetës nuk është asgjësuar sepse unë të paktën unë mbeta gjallë. Të tjerë nuk ia dolën. Ka pasur njerëz që janë pushkatuar. Është krim. Shën Tereza thotë se ferri është një vend ku nuk ka dashuri. Ne na rritej dashuria për fëmijët dhe kishte mungesë të dashurisë së njeriut për njeriun. Jeta ne Spaç, thjeshtësohej e vritej”, thotë Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb