TIRANE – Për të marrë një certifikatë, një vërtetim që je banor lagjeje, apo për të bërë shërbime të tjera në njësitë e Tiranës të duhen në mbi dy orë. Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi, pasi sipas tyre bllokohen me orë të tëra në sportelet e gjendjeve civile për një certifikatë. Radhë të gjata ditën e djeshme ka pasur në dy nga njësitë e Tiranës, ajo nr. 8 dhe nr.9, ku “GSH” ka biseduar me qytetarët. Një arsye për vonesat e shkaktuara është edhe fakti se punonjësit kanë staf të përgjysmuar sepse kanë marrë lejen vjetore. “Kam më shumë se një orë që pres për të marrë një certifikatë vdekjeje të babait. Kam marrë leje një orë nga puna, por nuk besoj se do mbaroj punë se ka 10 persona në radhë para meje”, ankohet një qytetar. Po ashtu, edhe shumë persona të tjerë presin në radhë për të marrë certifikata, për të shpallur lidhjen e martesës, apo presin përgjigjen nëse u kanë ardhur nga komisariatet dokumentet për të bërë aplikimin për pasaportë, ndërkohë që radhëve nuk u shmangen dot as gratë shtatzëna. “Duam të shpallim celebrimin, jam edhe shtatzënë, vetëm një certifikatë më duhet. Po kam gjysmë orë që pres, se ka vetëm një punonjëse, pasi njëra sapo lëvizi”, tregon qytetarja, e cila është 6-muajshe shtatzënë. Po ashtu, edhe qytetarët e tjerë ankohen për faktin se ka pak punonjëse në sportele dhe kjo gjë shkakton radhë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: