GJIROKASTËR

Policia në ndihmë të qytetarëve, të cilët për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, po qëndrojnë në radhë me orë të gjata pritjeje për të kaluar në shtetin grek.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu, për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore.

Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë janë marrë e po merren takime të shpeshta me qëllim ndikimin nga ana e Policisë greke të autoriteteve shëndetësore greke për të shtuar personelin me qëllim që të kryhen në kohë më të shpejtë tamponët për COVID-19.

Shërbimet e Policisë janë shtrirë përgjatë aksit rrugor Jorgucat-Kakavijë, duke i ardhur në ndihmë çdo qytetari në nevojë.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos dynden drejt Kakavijës, pasi në ditët e ardhshme pala greke do të kufizojë akoma më shumë lëvizjet drejt shtetit grek.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb