Tenisti spanjoll Rafael Nadal fitoi sot grand slam të Australian Open. Ai mundi 3-2 në finale rusin Daniil Medvedev (2-6, 6-7, 6-4, 6-4, 7-5). Një fitore me përmbysje e spanjollit, që arriti të rikuperojë një disvantazh prej dy setesh, për të triumfuar në fund 3-2, pas 5 orësh e 25 minutash lojë në Melburn.

Kjo është hera e dytë që Nadal fiton këtë grand slam (hera e parë në vitin 2009), por mbi të gjitha ai arrin kuotën e 21 grand slam të fituar në karrierë, si askush tjetër, duke shkruar historinë. Pavarësisht moshës (36 vjeç), ai arriti të tregojë grintë e karakter në fushë, duke mos hequr dorë edhe kur fitorja dukej një “mision i pamundur”.

Medvedev e nisi mirë ndeshjen, duke e dominuar atë në setin e parë, ku fiton 6-2. Në të dytin gjithçka vendoset në “tie break”, me rusin që fiton 7-6. Mjaft i ekuilibruar edhe seti i tretë, me Nadal që fiton një “game” me topat e kundërshtarit dhe krejt këtë set 6-4, duke rihapur ndeshjen.

Nadal nuk e ul ritmin dhe arrin të përsëritë në setin e katërt atë që bëri më herët, duke fituar sërish 6-4. Barazim 2-2 me sete dhe gjithçka vendoset në setin final, ku është spanjolli, që i karikuar nga dy setet e fundit, dominon në fushë. Nadal fiton 7-5 e krejt takimin 3-2, duke realizuar atë që dukej e pamundur një muaj më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb