Kompania shtetërore e naftës në Libi ka njoftuar se mund të mbyllet për shkak të përleshjeve të armatosura në afërsi të rafinerisë së saj në portin perëndimor të vendit.

Në një kumtesë, kompania shtetërore e naftës njofton se tre bomba kanë goditur në afërsi të rezervuareve dhe depove të saja në 48 orët e fundit në portin perëndimor Zawiya.

Rafineria funksionale më e madhe e Libisë në Zawiya ndodhet rreth 49 kilometra nga kryeqyteti Tripoli.

Në prill, forcat besnike të komandantit lindor të Libisë, gjeneralit Khalifa Haftar, filluan një fushatë ushtarake për kapjen e Tripolit, por deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë përtej periferisë së qytetit

Më 27 nëntor, Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) dhe Ankara nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetra mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se mund të konsiderojë të dërgojë forca turke në Libi nëse GNA bën një kërkesë të tillë.

Të enjten, Erdoğan tha se një mocion për mbështetje ushtarake për Libinë do të parashtrohet në parlament më 8 ose 9 janar pasi Turqia ishte “ftuar” nga Libia.

Ministri i Brendshëm i Libisë, Fathi Bashagha tha se GNA zyrtarisht do të kërkojë ndihmë ushtarake nga Turqia.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në Libinë lindore, e cila mbështetet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb