Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për mediat, ka folur, pas negociatave që ka pasur me naftëtarët grevistë, me të cilët u ra dakord për një pagesë të caktuar.

Rama tha se rafineria e naftës në Ballsh nuk është për skrap, ndërsa shtoi se qeveria ka bërë maksimumin.

“Konsultat tona tregojnë se rafineria nuk është për skrap. Nuk e di se kur mund të nisë puna në rafineri, përderisa nuk kemi investitor që të mund të nisë punën në këtë sektor, që është në vështirësi të madhe botërisht.

Ne kemi bërë përpjekje. Ne bëjmë ndërmjetësin, duke kontaktuar jashtë vendit që nga presidentë, siç ishte rasti i kreut të shtetit të Azerbajxhanit, që iu kërkojmë ndihmë kompanive të tyre, nëse janë të interesuara”, tha Rama.

Edi Rama theksoi se qeveria po ofron mbështetje maksimale për naftëtarët.

“Kjo kompani duhet të merret vesh edhe me bankën. Në kushte grevash nuk negocioj. Kjo është ofertë e rëndësishme, sepse ne paguajmë, duke qëndruar ata në shtëpi. Do të vëmë në dispozicion një ndihmë financiare, që të shlyejnë faturat mujore që kishin . Nuk është hall që ta zgjidhim ne. Ne po ofrojmë zgjidhje optimale. Ne jemi në të njëjtën anë, jemi këtu për të qarë hallet si një familje”, deklaroi Rama.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb