Të paktën tre persona kanë humbur jetën në përmbytjet të cilat për të nëntën ditë po shkaktojnë katastrofë në provincën juglindore të Iranit Sistan-Baluchestan.

Përmbytjet e mëdha nga 9 janari vazhdojnë në juglindje të Iranit, ku për dy ditë janë regjistruar reshje më shumë sesa mesatarja vjetore e shirave në këtë rajon.

Përmbytjet prekën 14 qytete dhe të paktën 400 fshatra mbetën nën ujë. Më shumë se 20.000 njësi banimi janë dëmtuar, kurse banorët e lagjeve më të rrezikuara e kalojnë natën jashtë.

Situata më e rënduar paraqitet në rajonin Zerabad, ku një numër i madh shtëpish janë shkatërruar dhe janë dëmtuar rrugët, uji dhe infrastruktura.

Për shkak të rrugëve të shkatërruara nga përmbytjet, ndihmat humanitare në fshatrat e thella dërgohen me helikopterë ose transportohen në këmbë nga vendasit.

Rajoni i goditur nga përmbytjet sot u vizitua edhe nga presidenti iranian Hassan Rouhani, i cili premtoi se institucionet kompetente të Iranit do të zgjidhin problemet.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb