Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka arritur të miratojë një deklaratë në lidhje me testet e fundit me raketa të Koresë së Veriut, pasi vendet anëtare nuk u morën vesh për tekstin e deklaratës.

Mbledhja ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe dhe ajo ka zgjatur pak më shumë se një orë, i thanë diplomatët agjencisë Reuters.

Më 29 shtator, Koreja e Veriut tha se ka testuar me sukses një raketë të re hipersonike, të quajtur Hwasong-8.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se raketa e re është një nga “pesë sistemet më të rëndësishme” të armëve, të përfshira në planin pesëvjeçar të zhvillimit ushtarak.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Franca ka insistuar të bëhet një deklaratë e përbashkët, por Kina dhe Rusia kanë kundërshtuar duke thënë se nuk është koha e duhur për këtë, dhe se iu duhet një afat për analizimin e situatës, ka thënë ky diplomat i cili vjen nga një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit.

Diplomatët e Francës nuk kanë qenë në dispozicion për të komentuar informacionet.

Në vitin 2017, me iniciativën e administratës amerikane të ish-presidentit, Donald Trump, Këshilli i Sigurimit vendosi sanksione të ashpra ekonomike kundër Koresë së Veriut, pasi ky vend organizoi një test bërthamor dhe disa të tjerë që përfshinin raketa konvencionale.

Këshilli i kishte miratuar njëzëri ato.

Megjithatë, që nga ajo kohë Këshilli nuk ka arritur të mbajë një qëndrim të përbashkët për Korenë e Veriut.

Kina është një aleat i ngushtë i Phenianit dhe së bashku me Rusinë disa herë kanë kërkuar heqjen e pjesshme të sanksioneve.

Tetë muaj pas marrjes së detyrës, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ende nuk ka dalë me një strategji të qartë ndaj Koresë së Veriut.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb