Ukraina duket se ka kryer një sulm me raketa në një depo municionesh 12 milje përtej kufirit në Rusi.
Pamjet e shpërndara gjatë natës në mediat sociale tregojnë një seri shpërthimesh të mëdha në afërsi të Belgorodit, në Rusinë perëndimore.

Zyrtarët rusë më vonë konfirmuan se gjashtë raketa kishin goditur depon në Krasny Oktyabr, një qytet në juglindje të Belgorod. Ata thanë se nuk kishte viktima, por mediat ruse raportuan se katër ushtarë ishin plagosur.

Sulmi erdhi pasi forcat ukrainase i kthyen trupat pushtuese në kufi në një seri kundërofensive pranë Sumy, në verilindje të vendit.

Analistët ukrainas të mbrojtjes thanë se 13 regjimente tankesh ruse ishin mundur në betejat për të siguruar rrugët kryesore në rajon dhe thanë se dy fshatra, Velyka Pysarivka dhe Mezenivka, ishin rimarrë.

Trupat ruse kanë sinjalizuar se do të tërhiqen nga Kievi dhe Chernihiv pasi kanë pësuar humbje të mëdha. Kremlini këmbënguli se tërheqja e trupave ishte një gjest vullneti i mirë që synonte përmirësimin e bisedimeve të paqes. Megjithatë, Ukraina, Britania dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan kujdes.

Ushtria ukrainase nuk ka komentuar menjëherë mbi shpërthimet, megjithëse mediat lokale raportuan se vendi ishte goditur me raketa Tochka-U të lëshuara nga brigada e 19-të e raketave të vendit. Raketat kanë një rreze veprimi më të vogël se 50 milje.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori në detyrë i rajonit të Belgorodit, konfirmoi sulmet me raketa për mediat shtetërore ruse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: