Drejtori i Përgjithshëm i Informacionit dhe Programacionit të News24, Robert Rakipllari i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës e ka cilësuar të pakuptimtë emërimin e Besa Shahinit në krye të ministrisë së Arsimit, njëherësh të pakuptimtë ai ka cilësuar edhe ikjen e saj nga qeveria.

Sipas Rakipllarit, Rama kishte tre arsye për të emëruar ministra teknikë në mandatin e dytë qeverisës, por shton se ky eksperiment i bërë prej tij, tashmë duket i dështuar.

“Mendoj që kishte tre arsye pse Rama i emëroi zonjën Shahini dhe zotin Cakaj. E para, në mandatin e dytë emëroi ministra teknikë, pra zgjodhi një model tjetër që pas emrave të ministrave të përfolur të pasonin ministra teknikë, pastaj ministra nga Kosova për të dhënë idenë e bashkimit. Ishte pjesë e propagandës sikur Rama po bën bashkimin. Unë mendoj që Shahini kishte edhe një simbolikë tjetër. Ajo u emërua pas grevës së studentëve me kërkesa të majta, ku Rama mori një personazh si Besa Shahini që vinte nga Vetëvendosja e që i përshtatej kësaj fryme. Mendoj që këto arsye për të cilat i zgjodhi janë të dështuara. Kur e vendos si ministër teknik duhet tëketë parë diçka, një reformë, një ndryshim, por arsimi është i bllokuar, nuk është bërë gjë…

Është e pakuptimtë si emërimi ashtu dhe ikja e saj. S’ka kuptim as njëra as tjetra. Në tre simbolika ajo nuk bëri asgjë. Thjesht ka pasur një inerci bllokuese siç ka qenë më herët. Mund të marrësh një personalitet nga Kosova, publik, që e njeh mirë realitetin këtu por merr dikë nga hiçi e bën ministër, pastaj të krijon dhe kosto. Deklarata e saj ishte e papërgjegjshme. Pasi ke ndenjur 3 vite në qeveri del e thua kam punët e mia do vazhdoj në Kosovë. Erdhën nga hiçi dhe u bënë ministra, nuk kishin histori me vete, pra ata krijuan kosto për qeverinë se nuk bënë asgjë, ministri politik nuk të krijon kosto të tilla.

U morën dy individë që nuk përfaqësojnë asgjë, me shkollë të mirë siç mund të ketë shumë në Tiranë por kjo gjë nuk funksionin. Kjo dështoi. Dështuan për shkak të formulës se u morën nga hiçi. Këto veprime i bëjnë kryeministra që kanë tendenca autoritare dhe nuk pyesin për partinë e tyre, sidomos kur këta kryeministra vijnë në pushtet përmes ‘Niceve’ të Shijakut”,- tha Rakipllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb