Deputeti i opozitës së bashkuar në parlament Ralf Gjoni, në fjalën e mbajtur në parlament, foli ndër të tjera për fenomenin e emigrimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve të zhvilluara.

Gjoni ka publikuar mesazhin e një të reje, që shprehet se 80 përqind e shoqërisë së saj është larguar nga Shqipëria, pasi nuk kanë besim në asnjë institucion.

“Kemi marrë mendim in e të rinjve për situatën në Shqipëri dhe si shohin vendin para dhe pas zgjedhjeve. Të gjithë shqiptarët duhet të dëgjojnë mesazhin e të resë. Çfarë mund të them kur 80 përqind e shoqërisë sime ka emigruar dhe po bëjnë sakrifica marramendëse jashtë vendit, sepse këtu nuk shohin të ardhme. Janë larguar njerëz me vlera. Kanë humbur besimin në çdo institucion, nuk ka marrëdhënie mes individit dhe shtetit. Të rinjtë marrin këtë vendim, jo më kot. ka shumë të zhgënjyer dhe të demoralizuar, që thonë se nuk bëhet ky vend. Më dhemb në zemër ky mesazh”, tha Gjoni.

Ralf Gjoni vlerëson se Shqipëria po shndërrohet në një kamp azili për të huajt dhe shqiptarët po marrin arratinë drejt vendeve europiane të zhvilluara.

“Emigrimi është rritur në mënyrë dramatike. Mua më dhemb ky realitet. Më dhemb, kur shikoj se vendi im po shpopullohet. Paaftësia jonë për të qeverisur, po detyron njerëzit të largohen, madje edhe ata që janë të arsimtuar. Kryebajraktari në vend thotë se njerëzit ikin, mund të largohen disa, por jo kaq masivisht. Ky është projekt vizionar strategjik i keq, antikombëtar.

Kjo po çon në shpopullim të vendit nga shqiptarët dhe kthim të Shqipërisë në kamp azili. Ndoshta Taulanti është i lumtur, se Librazhdi ndoshta ka punët mirë. Shqipëria po bëhet si Kandahari”, deklaroi Gjoni.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb