Deputeti Ralf Gjoni foli për një gjendje të agravuar të shëndetit mendor të shqiptarëve duke bërë shkaktar sistemin shtypës politik.

Duke folur në seancën e sotme plenare, teksa diskutohet projektligji për shëndetin mendor, Gjoni tha se e shqetëson nënshtrimi i vullnetshëm i popullit të shtypur ndaj kësaj qeverisje, sipas tij, një popull i cili nuk ka besim tek strukturat shtetërore, një popull që nuk shpresë për dritë në fund të tunelit.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shëndetin mendor të disa individëve. Druaj se shëndeti mendor i shqiptarëve është agravuar ndoshta në nivelet më të larta në historinë postkomuniste. Shoqëria shqiptare vuan nga një sistem shtypës politik, nga një mungesë e theksuar e dedektimit të këtyre rasteve dhe për shkak të pandemisë. Njerëzit kanë humbur shpresën, optimizmin për të ardhmen. Në nenin 1 flitet për një shtrim të vullnetshëm të një personi me çrregullime të shëndetit mendor. Mua nuk më shqetëson shtrimi i vullnetshëm, më shqetëson nënshtrimi i vullnetshëm i popullit të shtypur ndaj kësaj qeverisje. Një popull i cili nuk ka besim tek strukturat shtetërore, një popull që nuk shpresë për dritë në fund të tunelit. Marr shkas nga ky moment sot të hedhim pak sytë nga Kosova. Kosova na ka bërë të na skuqet faqja të gjithëve. Na ka bërë me turp në Shqipëri. Pa monitorim ndërkombëtar, pa ndihmë ndërkombëtare arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta, me konkurrencë të pastër, pa asnjë lloj incidenti, numëron brenda ditës votat, shpall fituesin, humbësit urojnë fituesin. Ne në vitin 2021 ende nuk jemi në gjendje të themi se vota e shqiptarëve numërohet. Shqipëria i vetmi vend në Ballkan i cili nuk ka mundësi t’i garantojë zgjedhësve votën e tyre.
Ai establishment që u thye dje në Kosovë, këtu po vjen e forcohet. Nuk është e mundur që ne ende flasim për numërimin e votave.
Ky popull është nënshtruar me vullnet ndaj kësaj thundre dhe këtij establishmenti”, deklaroi ndër të tjera Ralf Gjoni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: