TIRANË

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar absurditet akuzën që disa mësues bënë gjatë takimit me kryedemokratin Lulzim Basha se kanë frikë të thonë se janë me COVID-19 pasi mund të hiqen nga puna.

Rama kërkoi që qytetarët t’iu referohen vetëm autoriteteve shëndetësore zyrtare që të mbrohen nga virusi dhe lajmet e rreme.

“Është një absurditet i madh që të thuhet nga cilido që e ka thënë që nëse raportohet me COVID humb vendin e punës. Është absurde, një nga aktet e Lulzim Bashës me aktorë që shfaqen rreth tij ndërkohë që kanë ndonjë aktivitet në jetën e përditshme. Nuk ndodh, si mund të ndodhë, kush mund ta konceptojë që mësuesi humb vendin e punës nëse sëmuret.
Sa i përket asaj që një prind thotë që fshihen rastet dhe ky është një absurd total, nuk ka shans të ketë raste për t’u konsideruar nga sistemi dhe sistemit të mos i konsiderojë. Janë gjëra që thuhen midis morisë së gjërave që përfliten pa bazë në këto kushte. I bëj thirrje të gjithëve t’i referohen autoriteteve shëndetësore, të dhënave zyrtare dhe të mbrohen nga virusi dhe lajmet e rreme. E kuptoj stresin, ankthin dhe nuk ka ankth më të madh se ankthi i prindërve për fëmijët por nuk mund ta imagjinoj të ndodhë që mësuesit të humbasin vendin e punës apo të largohen pa adresë e të mos deklarohen si persona të infektuar. ka dhe raste si gjithandej kur dikush pranë teje është i prekur në familjen tënde dhe ti për këtë shkak karantinohesh. Është gjëja më normale që mund të ndodhë, procedurë e zakonshme. Apo ti nuk ndihesh mirë, mund të kesh qenë në kontakt me dikë dhe karantinohesh. Nuk ka gjëra që fshihen se nuk ka asnjë arsye pse të fshihen. Nuk mund të fshihen”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb