TIRANË

Kryeministri Edi Rama iu dërgoi mesazh të prerë të gjithë punonjësve të administratës, të cilët nuk iu shërbejnë sipas rregullave qytetarëve për hallet dhe  shqetësimet, që ata i adresojnë në institucionet shtetërore.

Shefi i ekzekutivit pohoi se ka ikur koha që përgjegjësit të fshihen pas kodit civil apo pas njëri tjetrit, por do të mbajnë përgjegjësi për punën që kryejnë.

Duke uruar festën e 7 Marsit për mësuesit, Rama nënvizoi se edhe sistemi arsimor ka hyrë në një proces transformimi, ku vendin e partisë e ka zënë meritokracia dhe gara e ndershme.

“Ne sot jemi në ditën e mësuesit dhe më vjen shumë mirë të vë në pah se ka edhe shumë për të bërë për shkollën, për mësuesit. Sot kemi  konsoliduar procesin e rekrutimit të mësuesve sipas meritokracisë. Sot ka përfunduar koha që mësuesit transferoheshin pa të drejtë sa andej, këndej. Ne sot kemi 4 mijë mësues të rinj të rekrutuar në bazë të meritës, të rekrutuar nga pikët e marra në portal. Është një ndryshim i madh i sistemit  të mësuesisë në Shqipëri.

Nga ana tjetër nuk është vetëm  rekrutimi, por është ndaluar korrupsioni në modulet e trainimit. Pagat e mësuesve janë rritur me 22 për qind. Tani është çelur edhe një mundësi për studentët për mësuesi, ata trajtohen me bursë, konkretisht ata që janë me nota më të larta.

Ka ende zona gri dhe të errëta në administratë, ndërsa do të ketë një masë ndëshkimore për ata që fshihen pas njëri tjetrit dhe nuk shërbejnë si duhet dhe nuk e përfaqësojnë ambicien tonë për administratën”, tha Rama gjatë takimit të përjavshëm të platformës së bashkëqeverisjes, ku qytetarët treguan se si zgjidhën problemet pas adresimit tek portali “Shqipëriaqëduam.al”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb