TIRANË

Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencë me komisionerin europian për zgjerimin Oliver Varhelyi se ajo që po ndodh në Ukrainë, nuk është një arsye për të menduar se do kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan, por një arsye për të intensifikuar përpjekjet për paqen në Ballkan.

Duke folur për Kosovën dhe qasjen e BE-së drejt saj, kreu i qeverisë tha më tej pa SHBA-të dhe BE-në, Kosova nuk do ishte dot e pavarur.

“Thënë të gjitha këto unë mendoj, kjo nuk është e re, që ajo që po ndodh në Ukrainë, nuk është një arsye më shumë për të menduar se do kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan, por një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Dhe edhe historia e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, duhet të na mësojë shumë për pse-në e intensifikimit të procesit të paqes përfundimtare. Paqja nuk bëhet me mikun, paqja bëhet me armikun dhe në këtë rast paqja bëhet me armikun e deri djeshëm, që nuk është miku i sotëm i Kosovës, por që është aty.

Kosova është një realitet që është aty, nuk e ndryshon dot askush, Serbia po ashtu. Është në interesin e të dyja palëve të bëjnë paqen përfundimtare. Të paktën sa unë kuptoj, të gjithë qasjen e të gjitha kancelarive europiane, qasjen e Brukselit, qasjen e të gjithë liderëve të Europës, përfshi Europën, nuk e kam gjetur një që të thotë që Kosova nuk duhet të ulet në dialog me Serbinë dhe këta nuk janë njerëz që janë proserbë dhe as antikosovarë, janë njerëz që përfaqësojnë shpëtimtarët e Kosovës. Kosovën e kanë shpëtuar këto shtete. Pa këto Kosova nuk do ishte dot e pavarur, me gjithë respektin për UÇK-në”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb