TIRANE – Hendeku që e ndan bujqësinë shqiptare nga ajo e BE-së është vetëm dija dhe Shqipëria në këte drejtim është në situatë alarmante.

Kryeministri Rama, në takimin “Bujqësia e së ardhmes”, ka deklaruar sot se në fushën bujqësisë,”nëse shohim volumet e mundshme që mund të thithim nga BE-ja dhe kapacitetin aktual njerëzor, ne jemi në një situatë alarmante dhe kjo është sfida jonë, që strukturat tona të jenë përçuese të dijes, mbështetëse të fermerit dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshat të rritet si dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse.”

Kryeministri solli nevojën e rajonalizimit të bujqësisë dhe solli shembull rastin e disa vendeve, që njihen vetëm për prodhimin e manaferrave, për shembull apo të Polonisë, që njihet vetëm për mollët. Të specifikojmë prodhimin, – tha ai – që të njihemi për një gjë dhe jo të mos fitojmë asgjë duke prodhuar gjithçka.

“Nga një bujqësi që është parë tradicionalisht si territori i varfërisë dhe shpërndarjes së lëmoshës për të ruajtur normat e një mbijetese, që asnjëherë nuk mund të kapërcejë vetveten, – shtoi ai, – synojmë një bujqësi të suksesit dhe zinxhirit të vlerave.

Rezultatet e vitit të parë tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Deri në 3-mujorin e dytë të vitit kemi një rritje prej 26% të eksporteve. Kjo është një shifër shumë inkurajuese, që flet për potencialin e madh që ka ky sektor në funksion të daljes së fshatit nga varfëria dhe krijimit të vlerave në ekonomi.

Ne jemi të vetëdijshëm për sipërfaqet e ngushta, për mungesën e specializimit dhe specifikimit të kapitalit njerëzor dhe e konsideroj këtë moment, pas shumë vitesh shpërndarjeje të lëmoshave elektorale, si moment konsolidimi të të raportit të shtetit me individit dhe fermën.

Është e qartë që kjo hartë e re vendos një marrëdhënie shumë transparente ndërmjet qeverisë dhe sektorit dhe përcakton në mënyrë të saktë të gjitha piketat, ku synohet të intensifikohet prodhimi bujqësor.

Është e qartë se nëse i referohemi bujqësisë në tërësinë e vet dhe bëjmë një krahasim mes Shqipërisë dhe BE-së, hendeku shumë i madh përcaktohet nga dija.

Bujqësia në BE është fusha e inovacionit, specializimit të vazhdueshëm, bazuar mbi dijen. Ndërkohë që në vendin tonë për vite të tëra ka ndodhur e kundërta. Është një fushë që qeveritë e kanë konsideruar si teritor të varfërisë dhe mbijetesës dhe janë mjaftuar me subvencione të paralizimit dhe statukuose dhe ku kanë mundur të ngrihen vetëm ata që kanë mundur të ngrihen duke i besuar dijes dhe konkurencës.

Fshati duhet të kuptojë se nuk duhet t’i drejtohet qeverisë për lëmoshë, por për projekte dhe subvencione të tyre. Është fakt se nëse shohim volumet e mundshme që mund të thithim nga BE-ja dhe kapacitetin aktual njerëzor jemi në një situatë alarmante dhe kjo është sfida jonë, që strukturat tona të jenë përçuese të dijes, mbështetëse të fermerit dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshatar rritet dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse, rritet.

Komisioni Europian nënvizon zhvillimin e bujqësisë si elementin kryesor në luftimin e varfërisë. Edhe pse viti financiar që po mbylim ka qënë i vështirë për shkak të asaj që trashëguam, buxheti për bujqësinë u rrit me 71%. Ne do të vazhdojmë ta rrisim këtë mbështetje.

Sfida jonë nuk është të rrisim buxhetin, por ta bëjmë sistemin që të absorbojë çdo qindarkë të këtij sistemi. Këtë vit, falë edhe investimit serioz në sistem të Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor, vihet re një kthesë, ende shumë e zbehtë, sepse është vetëm fillimi

“Bujqësia e së ardhmes”, Panariti prezanton hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor

Ministria e Bujqësisë prezantoi, në një takim nën logon “Bujqësia e së ardhmes”, hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor.Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, u shpreh se ky dokument, që miratohet për herë të parë, synon të jetë baza për hartimin e politikave mbështetëse për bujqësine dhe fermerët.

“Organizimi i prodhimit bujqësor do të bëjë që të ketë një raport shumë më transparent mes fermerit dhe politikave te qeverisë. Kjo hartë paraqet në mënyrë transparente se cilat kultura do jenë prioritare dhe në ç’formë do të mbështeten”, theksoi ministri Panariti.
Në fjalën e tij, ministri Panariti u ndal tek mbështetja që bujqësia do të marrë gjatë vitit 2015 përmes paketës së posaçme lehtësuese dhe skemës sërimbursimit të naftës për fermerët.

Në paketën lehtësuese për bujqësinë qeveria rrit masën e TVSH-së që rimburson për fermerët nga 6 në 20 për qind. Po kështu, paketa heq taksat e importit dhe TVSH-në për lëndët e para dhe makineritë bujqësore. Ndërkohë që projekt- buxheti 2015 për sektorin e bujqësisë shënon një rritje prej 26% kundrejt buxheti 2014.

(ar.sh/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb