Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit për 105-vjetorin e Tiranës u shpreh ndër të tjera se arrestimi i Erion Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve nuk është normale. Kryeministri tha se ‘nuk ka akuzë për Erionin dhe se atij iu ndalua të zbatojë kontratën me qytetarët’.

‘Sot jemi këtu për të kremtuar një përvjetor, 105 vjetorin e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë jemi në një paradoks sepse mungon kryetari i bashkisë i zgjedhur nga çerek milion zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën dhe të forcës sonë politike me qytetarët e Tiranës.

Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë personalisht dhe sinqerisht nuk e njoh as për fytyrë dhe ndërkohë që kush zgjidhet ka një llogari të përditshme për të dhënë, kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por me siguri jo përpara qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë.

Unë nuk e di dhe nuk më takon mua ta them nëse Erioni është i pafajshëm apo është fajtor, por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur në krye të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij siç ndaj çdo individi, nga ana e kujtdo që ka detyrën të trajtojë çështje që lidhen me drejtësinë, por është dhe një detyrim ndaj të gjithë atyre që e kanë zgjedhur në mënyrë që të bëhen që të dyja, edhe puna për kontratën me zgjedhësit, edhe puna e drejtësisë për të nxjerrë deri në fund, në një proces të rregullt me standarde demokratike të vërtetën dhe për të përcaktuar në të gjitha shkallët e gjykimit fajin ose pafajësinë e tij apo të kujtdo tjetër.

Për hir të vërtetës, ne deri më sot kemi zgjedhur që të mos komentojmë. Kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi. Është mbyllur në shtëpi në një qytet në skaj të Shqipërisë ku burimet njerëzore nuk janë të pafundme dhe i është ndaluar të zbatojë kontratën me zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë, por pa gjyq, pa gjyq.

Mund të vazhdoj edhe me raste të tjera, i kemi konsideruar lajthitje në objekt duke qenë të bindur që koha dhe reflektimi i brendshëm i institucioneve më të reja, domosdoshmëria për të pajtuar përpjekjet për drejtësi me standardet evropiane të drejtësisë duhet të bëjnë të tyren pa pasur nevojë që ne të flasim. Mirëpo ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën absolute dhe gjithmonë pa lëkundjen e mbështetur nga ne për të hetuar dhe për të çuar përpara drejtësisë këdo, pa parë majtas dhe djathtas por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur ti japësh mundësinë të ushtrohet dhe të gjithë kohën që ndërkohë hetohet dhe gjykohet.

Nuk dua të sjell shembuj nga Evropa ku duam të integrohemi, por dua të them që paraburgimi i personave të zgjedhur është një fenomen  me të cilin ballafaqohemi ne këtu.

Thënë të gjitha këto, e përsëris që ne nuk kemi asnjë diskutim në domosdoshmërinë për ta vazhduar këtë luftë, luftën kundër korrupsionit.

Sot jemi në kushtet kur gjendemi përpara një çështjeje ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë për korrupsion, por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, është hetuar personi, jeta e një njeriu, e familjes së tij si rezultat i një novele me dhjetëra e dhjetëra faqe anonime të depozituar në shkurt të vitit të kaluar.

Më vjen keq, nuk e pretendoj që në këtë çfarë do them jam neutral apo i pavarur apo i zhveshur nga interesi sepse në fund të fundit, jam udhëheqësi, kam privilegjin të jem udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve dhe e kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, zhvillohet një linçim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit 3 muaj përpara zgjedhjeve.

Nuk po insinuoj asgjë, por po them që për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim përpara të cilit reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk ka një urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror, nuk ka, nuk ka, nuk ka. Ka një hetim për jetën e kryetarit të bashkisë. Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kjo nuk më takon mua ta them, por dyshimi i arsyeshëm është që është jashtë shinave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë’, tha Rama.

Sot jemi në kushtet kur gjendemi para një cështje ku nuk kemi akuzë  për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë, por kemi një hetim për një person.

Nuk është hetuar një akuzë por personi, jeta e një njeriu, e familjes së tij si rezultat i një novele  me dhjetëra faqe anonime e depozituar në shkurt të vitit të kaluar.

Nuk po insinuoj asgjë por po them se për mua nuk është normale nuk ka urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror’, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb