Nga: MIMOZA KOÇIU*

Ishte befasues, edhe pse jo i papritur qëndrimi kumbues i SHBA-ve të mërkurën pasdite për reformën në drejtësi. Që në
frazat hyrëse, deklarata e ambasadës amerikanë në Tiranë veçonte “të mirin” e të “keqin” e politikës shqiptare në punën për reformën në drejtësi. “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit”.

Jo i papritur si reagim, sepse telefonata e Ndihmës Sekretares amerikane të shtetit, Nuland me Lulzim Bashën të premten e kaluar për nevojën e miratimit të reformës si dhe fraza se reforma në drejtësi “mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, paralajmëronte qartë një sosje të durimit amerikan për finalizimin e një reforme, ku janë angazhuar në vetë të parë. Befasues në drejtim të tempizmit të vonuar për zhgënjimin e vërtetë, që mund të lidhet me sjelljen e Partisë Demokratike, pas dështimit të takimit. Në mënyrë krejt amatoreske, PD paralajmëroi se do nxirrte në publik komunikimin e saj me ekspertët amerikanë, në të cilin dëshmohet se çka Basha kërkoi në takimin me Ramën ishte propozuar më herët nga ekspertët e pranuar nga PD.

Këtë e dëshmon edhe qëndrimi i ndarë në dy deklarata i SHBA-ve e BE, që në këtë një vit e gjysmë kanë qenë krejt në unison në qëndrime e në një rast të tillë kaq delikat, u shfaqën të ndarë, e vetë BE ishte skajshmërisht e kujdesshme në shprehjen e keqardhjes për dështimin e takimit Rama-Basha.
Me publikimin, në mbrëmje vonë të e-maileve të komunikimit të PD me ekspertin e OPDAT e EURALIUS, Lulzim Basha ka avancuar rrezikshëm në atë që tashmë po shpërfaqet si përplasje publike me partnerin tonë strategjik. Kompleksi provincial se “nuk duhet t’u biesh ndesh amerikanëve” nuk ka pse të vlejë nëse je me të drejtën, por a është ky hapi i duhur, në një kohë kur qeveria është e përfshirë në një skandal të pretenduar përgjimi dhe i ka hapur luftë prokurorisë e gjyqësorit?

Për më tepër që ajo që vazhdon të ngecet me PD është komunikimi publik. Pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme ndaj qeverisë apo turit të Bashës nëpër rrethe, ende PD e rrëzuar prej tri vitesh nga pushteti, nuk po bëhet ai burimi i frymëzimit tek e cila qytetarët të shpresojnë për të gjetur një model krejt të kundërt nga ai që po shohin përditë, e që po diskretitohet edhe nga brenda radhëve të veta.

Takimi i dështuar me Edi Ramën ishte në këtë vazhdë. Shumica e opinionbërësve në Shqipëri, ende rendin të thonë se si u doli fjala pas dështimit të takimit Rama-Basha, sa largpamës janë apo sa mirë i njohin dy liderët në fjalë. Një pjesë e tyre, më pranë politikanëve në fjalë, kaluan në fazën e dytë, atë të analizës se cili doli i fituar, Rama me dy fjalime në xhep, apo Basha me besimin deri diku naiv tek rezultati spontan i një takimi të tillë. Personalisht nuk renditem mes orakujve gjithologë, edhe për faktin se e kam të qartë se si gjykimi errësohet, kur kafet e drekat e politikës me median bëhen rutinë. Shkëmbime të tilla janë të nevojshme, për aq kohë sa nuk bëhen simbiotike nga tryezat te forumet mediatike, tradicionale apo ato sociale.

Prandaj hyj në ata, të paktët mbase, jo gjithologë, që nuk e parashikoja që takimi mes të dyve do rezultonte një dështim. Një dështim që nuk ndryshoi, edhe pse palët ndenjën plot tri orë sy më sy me njëri-tjetrin. Pas tri orësh u shfaq një kryeministër, që ishte “sakrifikuar” duke u ulur me opozitën, e lexoi fjalimin e dështimit për faj të opozitës, në pozicionin e triumfatorit që kishte bërë çdo përpjekje për të bindur opozitën që nuk e do reformën. Përse kjo pritshmëri? Se besoja se Rama ose Basha do tejkalonin interesat respektive partiake? Aspak. Kjo është një utopi për realitetin tonë politik. Pritshmëria lidhej me njohjen e disa rregullave të arta në politikë, që dihen mirë, edhe pse nuk janë të shkruara diku. Çka do thotë se dy udhëheqës politikë, edhe rivalët më të egër, të ulen bashkë për një çështje që është ndërkombëtarizuar tashmë, vetëm me dakordësinë se duhet të takohen. Duket absurde që dy politikanë, apo qoftë edhe thjesht njëri prej tyre, të ulen bashkë me këtë logjikë minimaliste, me të cilën janë dakordësuar të paktën prej dy javësh. Absurde që po me këtë logjikë minimaliste ulen për një takim e të “zbulojnë”, pasi shihen sy më sy, se nuk rënkërkan dakord. Memoria e së shkuarës na tregon se takime të këtij niveli finalizohen me produkt. Ka ndodhur në shkurt të ‘91 mes Berishës e presidentit të kohës Alia; 4 muaj më vonë, u prodhua ngritja e qeverisë së stabilitetit; në vitin e çmendur ‘97, kur shteti ra, u arrit marrëveshja e 9 Marsit me qeverinë e pajtimit kombëtar. Në dhjetor të ‘98-ës, Berisha është takuar me kryeministrin Majko (Nano ishte dorëhequr) për grevën e urisë së studentëve.

Në vitin 2002 takimi Nano-Berisha me ndërmjetësim ndërkombëtar, prodhoi një president konsensual. Ky është takimi i fundit publik që prodhoi marrëveshje. Në 2007 takimi Rama-Berisha nuk prodhoi dot një president të pranuar. Marrëveshje nuk pati as në shkurt 2010, kur të dy u ulën me negociator presidentin e kohës Bamir topi, as në maj të të njëjtit vit, kur komisioneri i kohës, Fyle i mblodhi për darkë te restorant “Krokodili” në Strasburg e as në 2012, kur sërish duhej një president i ri.
Por Rama është marrë vesh shumë mirë me Berishën në prill të 2008, vetëm 2 javë pas tragjedisë së Gërdecit, kur miratoi pa u ndjerë ndryshimet kushtetuese që do dëmtonin Ilir Metën.

Nisur nga ky historik i së shkuarës, duket krejt naive shpresa e Bashës për të përfituar spontanisht nga takimi me Ramën. E duket po aq e pabesueshme që ndërkombëtarët, kumbarët e reformës në drejtësi, i kanë çuar palët drejt një takimi të tillë, në pozicione të njohura të kundërta. Duhet pranuar se te komuniteti ndërkombëtar ka një qasje mosbesuese ndaj PD-së, e duket se kjo e fundit pak ka bërë për të ndryshuar këtë perceptim. Nga ana tjetër, përballë ka një kryeministër, që i le të dukshme shenjat e mungesës së seriozitetit në komunikimin me opozitën, e kjo nuk duket vetëm te lakimi në të gjitha rasat i nofkës “SHQUP” me të cilën ka “pagëzuar” Partinë Demokratike, apo tek “lapsusi” me emrin e kryetarit të opozitës në adresimin zyrtar. Që ndërkombëtarët e kërkuan e sponsorizuan si takim, nuk është justifikim për mospërgatitjen e mesa duket, edhe mossqarimin e duhur me ta. E nuk bëhet fjalë për përgatitje paraprake të fjalimeve siç bëri kryeministri. Është një praktikë që përdoret rëndom nga politikanët kudo në botë, ndërsa për Ramën është thjesht rutina e një tipari të njohur të tij, për të kontrolluar gjithçka deri në detaje, deri edhe njerëzit që i ulen përballë, që të kenë veshjen e duhur, pamjen e duhur në fytyrë, pamje që duhet të shfaqet në kamera, në momentin e duhur, kur Rama të bëjë batutën e duhur.

Është gjesti i përllogaritur i një politikani që pasion të vetëm ka formën, ndërsa Lulzim Basha naivisht tentoi të merrej vesh me të me përmbajtjen.
Reforma në drejtësi tashmë është shndërruar në një çështje çoroditëse për opinionin për shkak të zhvillimeve të fundit. Deklarata e SHBA-ve fatkeqësisht mund të përforcojë perceptimin e njëanshëm, që po mbillet në publik, se është PD ajo që nuk e do reformën në drejtësi. Për një vend që në një çerek shekulli nuk ka parë para drejtësisë asnjë zyrtar të lartë, edhe pse reciprokisht qeveritë janë rrëzuar pikërisht për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, kjo nuk tregon se drejtësia në Shqipëri është kapur vetëm nga njëra palë. Në tri vite të qeverisë “Rama”, si kurrë më parë realiteti ka ofruar përditshëm raste skandalesh e korrupsioni, por asnjë nga emrat e lakuar nuk ka dalë para drejtësisë së “kapur” nga opozita. Kështu që pyetja se cili nuk e do reformën në drejtësi duhet ribërë, duke marrë parasysh të gjitha variablat e realitetit, duhet ribërë. Ndërsa vetë Lulzim Basha duhet të rishikojë strategjinë e të bërit opozitë, që përfshin edhe komunikimin diplomatik.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: