Kryeministri Edi Rama ka bërë sot thirrje anti- kushtetuese dhe ka kërcënuar se nuk do të njohë votën e shqiptarëve nëse ata do të votojnë kandidatët e djathtë në zgjedhjet e 14 majit.

Duke folur në një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së, ai tha se kandidatët e djathtë nëse zgjidhen, do t’i përdorin bashkitë si barrikada politike kundër qeverisë.

“Nuk kam folur për kandidatë kundërshtarë, kam folur për kukulla të një çifti ku kemi një non grata të shpallur nga SHBA, kemi thirrje të përsëritura nga aleati ynë për të bërë shumë kujdes në këtë pikë sepse zgjedhja është e shqiptarëve, por cilësia e marrëdhënieve me Shqipërinë është e aleatëve tanë. Ata e vendosin se çfarë natyre kanë raportet e tyre me ne në momentin kur një individ i shpallur non grata dhe jo dosido, por një nga më të rëndësishmit në këto 30 vite, mban damkën e personit të padëshirueshëm. Ky nuk është presion por mënyrë për t’ia thënë drejtpërdrejtë njerëzve se do jetë i pamundur bashkëpunimi, por sepse këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet e komunitetit por për ngritur barrikada të luftës politike”, tha Rama.

Sipas tij “Kundërshtarët tanë vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim nga një kthesë e madhe, e fortë në planin ekonomik. E ndoqët raportin e fundit të BB për rajonin dhe vlerësimet shumë domethënëse për ekonominë shqiptare”.

Zgjedhjet lokale/ PS mbledh Kryesinë, çfarë pritet të ndodhë në 2 javët e fundit të fushatës

Partia Socialiste ka mbledhur sot kryesinë e saj, ku e gjithë vëmendja është përqendruar te zgjedhjet lokale. Mësohet se kreu i PS, Edi Rama që në orën 8 të mëngjesit ka nisur një mbledhje me socialistët.

PS ka bërë të qartë se synim një fitore të rëndësishme dhe një numër të konsiderueshëm bashkish në këto zgjedhje. Kjo duke marrë parasysh dhe situatën përballë që ka me kundërshtarët politikë, ku PD është e ndarë, mes grupit të Alibeajt dhe atij të Berishës.

Gazetari Ergys Gjençaj tha se në këto gati 2 javë të mbetura, PS do të përshpejtojë ritmin e fushatës dhe të ketë tubime më të mëdha se ato që jemi mësuar deri tani, ku fokusi është vendosur te mbjellja e pemëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb