*Rama-Berishës: Ne nuk kemi shkop magjik, të rregullojmë çfarë ju shkatërruat, shqiptarët s;’jane dele t’ju bëni ju bariun!
*Berisha në replikë: Çfarë të keqe tjetër do t’ju bësh shqiptarëve?
Rama: PD në depresion, do t’ua përcjellë shqiptarëve
*Veliaj replika me Nokën: Vendorët e PD-së s’japin asistenca prej muajsh. Deputeti: Je papagall!
*Berisha: Veliaj bëri dy herë dasmë me para publike, i rroftë mamaja

TIRANE – Pas debateve për sektorin e energjisë kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha kanë replikuar edhe për ikjet e shqiptarëve. Për Ramën, shqiptarëve iu fyhet inteligjenca, kur dëgjojnë justifikimet e opozitës për këtë çështje. Kreu i qeverisë tha se ata nuk janë dele, që duan bari, ndërsa nuk nguroi të akuzojë paraardhësit për gjendjen ku e katandisën vendin.

Duke iu drejtuar Berishës, Rama ka thënë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa qeveria nuk ka një shkop magjik për të rregulluar me një lëvizje sipas tij, gjithçka të prishur në sistemin e kaluar. Kreu i qeverisë tha se nuk ka frikë nga përballja e 21 qershorit, pasi sipas tij, shqiptarët do dinë ta bëjnë dallim edhe kësaj here.

“Ne nuk kemi shkop magjik, çfarë ju shkatërruat ta rindërtojmë, ta vëmë në vend. Ne kemi bindjen e plotë se Shqipëria po shkon në vendin e duhur. Shqiptarët s’janë dele që ti bëni ju bariun. Janë në gjende të gjykojnë dhe të japin vendimin e tyre. E presim vendimin e shqiptarëve në 21 qershor apo kur të doni, jam i bindur të them se në 21 qershor vendimi negativ do bjerë mbi ju, se nuk keni reflektuar mbi atë që bëtë ato çfarë bëtë na i lini neve në kurriz”.

NIS VOTIMI, MIRATOHET NE PARIM PROJEKTLIGJI PER ENERGJINE ELEKTRIKE, SHTYHET VOTIMI NE TERESI
Ora 17:50Kuvendi ka shtyrë për javën e ardhshme votimin në tërësi të projektligjit për Energjinë Elektrike. Deputetët votuan me 67 vota pro dhe 19 kundër në tërësi projektligjin por debati u hap për nenin 92 në të cilin përcaktohet barra hipotekore si mënyrë e konvertimit të borxhit.
Kreu i Grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka kërkoi që të verifikohet kuorumi në sallë. “Nuk keni kuorumin për të votuar ligjin në tërësi. Do kërkoja të verifikohej kuorumi në sallë.”- u shpreh Paloka. Ndërsa deputeti Koço Kokëdhima kërkoi që të mos vendoset barrë hipotekore.
“Mund ti qëndrojmë versionit të mos vendoset barrë hipotekore mbi pasuritë e patundshme por të vendoset që kompania të mos krijojë borxhe.”- u shpreh Kokëdhima. Deputeti Taulant Balla kërkoi që situata të sqarohet dhe projektligji të kaloj për votim në tërësi javën e ardhshme. “Kërkojmë shtyrjen e votimit javës tjetër që të sqarohet situata.”- u shpreh Balla.

ZGJEDHJET, PALOKA: VËSHTIRËSI, NËSE DO KANDIDONTE MAJKO
Ora 17:20- Kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka vlerësoi deputetin Pandeli Majko si një kandidat të mundshëm të fortë për Bashkinë e Tiranës. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit Paloka u shpreh se kryeministri Rama zgjodhi ministrin Erion Veliaj si kandidat sepse nëse do fitonte do e kishte të tijin ndërsa nuk mund të zgjidhte një kandidat si deputeti Majko që nëse fitonte nuk do i bindej. “Absolutisht s’përmenda arsyet pse Majko është deklaruar dje, por për një gjë jam i bindur dhe s’ka lidhje me temën: Nëse do kishte dalë kandidat në Tiranë, do kishte vështirësi për ne, por Majko s’mundet të kandidojë për Ramën se ai është i interesuar për fitoren e xhepit të tij, është gati ta kandidojë Velinë edhe pse rrezikon të humabasë, por të paktën nesër edhe nëse fiton, do ta ketë për xhepin e tij. S’do rrezikonte të kandidojnte një si Majko se është i bindur se s’do ta kishte në xhep siç e donte ai. Vetëm respekt për ju zoti Majko!”- u shpreh Paloka.

BRAÇE: VARFËRIA PËRGJEGJËSI E TË GJITHËVE, MAJKO: NË NJË VEND KU KA VDEKUR LIGJI, KA VDEKUR EDHE POLITIKA, JU SEHIRLISTË
Ora 17:00-Diskutimet e deputetëve si të majtë ashtu edhe të djathtë në seancën e sotme plenare janë përqendruar në një prej problematikave më të mëdha në vend, ikjen e shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Asnjë prej palëve nuk ka pranuar të mbajë përgjegjësinë e “humbjes së shpresës së shqiptarëve” duke i vërtitur akuzat sa në qeverisjen e kaluar sa në të sotmen. Deputeti i PS-së Erion Braçe tha se varfëria është përgjegjësi e të gjithëve dhe e politikës në radhë të parë, ndërsa theksoi se ajo nuk mund të përballet vetëm me solidaritet. Ai u shpreh se të djathtët janë ende pjesë e ofertës së vjetër.

“Refuzuat tatim-progresin mbi të ardhurat. Varfëria përgjegjësi e të gjithëve, politikës në radhë të parë. Varfëria nuk përballet vetëm me solidaritet. Varfëria kërkon drejtësi sociale. Polarizimi në të ardhura do vazhdojë të jetë i fortë, për sa kohë nuk do të adresohet. Të ardhurat nga kapitali kanë një normë më të madhe se ardhurat nga puna. Ju nuk keni kurajë ta adresoni këtë gjë. Ju vazhdoni të jeni pjesë e ofertës së vjetër. Privatizimin e keni bërë ju. Ne e kemi kundërshtuar, ju nuk donit të dëgjonit. E kishit ushqyer atë kërkesë me idenë tuaj të vjetër se njerëzit mund të blihen. Dështuat në mënyrën më shembullore të mundshme”, tha Braçe.

Ndërkaq kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka ‘anuluar’ përkohësisht fjalën që do të mbante pasi ka mbështetur deklaratat e të majtëve, në lidhje me humbjen e shpresës së shqiptarëve.

“Shqiptarët po ikin se kanë humbur shpresën. Sot po e tërheq fjalën dhe po bëhem jehonë e dy deputetëve socialistë, faleminderit”, tha ai.

Deklarata të forta ka bërë edhe deputeti socialist, Pandeli Majko, i cili pasi solli në vëmendje raportin e fundit të ILDKP-së dhe deklaratat e kreut të këtij institucioni, tha se “Në Shqipëri në një vend ku ka vdekur drejtësia, ka vdekur edhe fjala. Në një vend ku ka vdekur ligji, ka vdekur edhe politika”. Majko i ka quajtur deputetët e opozitës sehirlistë, si një përgjigje për metaforat e Blushit për kanabistët e krenaristët.

“Dje i nderuar kolegu Paloka, në komisionin e Ligjeve u diskutua raporti i ILDKP-së, dhe nga të paktët njerëz që flet hapur në këtë vend, Zoti Gani deklaroi se në “Prokurorinë e Përgjithshme ka prokurorë të fëlliqur” që për raste të njëllojta flasin ndryshe. Në Shqipëri në një vend ku ka vdekur drejtësia, ka vdekur edhe fjala. Në një vend ku ka vdekur ligji, ka vdekur edhe politika. Prandaj miqtë e mi, ju me të drejtë mund të përdorni edhe metaforat e zotit Blushi, kanabistë dhe krenaristë, por keni harruar se çfarë jeni ju që bëni sehir ose sehirlistë. Njerëzit po ikin se nuk kanë shpresë, po nuk kanë shpresë edhe nga ju”, tha Majko.

BOGDANI: SHQIPTARËT EMIGRUAN KUR DOLËN NGA KTHETRAT E KOMUNIZMIT DHE KUR HIJA E KOMUNIZMIT U KTHYE NËN PETKUN E RILINDJES

Ora 15:45- Deputetët e djathtë kanë vijuar me kritikat ndaj qeverisjen, të cilën e bëjnë përgjegjëse të ikjes së mijëra shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Deputeti Gerti Bogdani tha sot nga foltorja e Kuvendit se ngaShqipëria nuk po ikin vetëm të varfrit por edhe ata që janë në punë, pasi nuk kanë shpresë.

“Pesimizmi i ka kapur shqiptarët, mungesa e shpresës. Nuk po ikin vetëm të varfrit por edhe ata që janë në punë, sepse nuk kanë shpresë për të ardhmen. Dy herë kanë emigruar në masë shqiptarët, njëherë kur shpëtuan nga kthetrat e komunizmit dhe herën e dytë kur hija e komunizmit u kthye me petkun e rilindjes. Mos të tallemi me ta siç bëri ministri dje. Si guxon Ministri i Punës të thotë ashtu? Kush është ai që i ndan shqiptarët në të majtë e të djathtë? Si mund të mos ikin shqiptarët kur me këtë projektligj i kërkoni ti merrni shtëpitë shqiptarëve që nuk paguajnë dot energjinë. Si mos të ikin shqiptarët, kur kjo qeveri është tallur aq keq me pensionet. Kur papunësia është rritur nga 13.4% në 18% ku nga këta të papunë, 30% janë të rinj. Normal që ikin shqiptarët, ikin të rinjtë sepse kanë muaj të tërë që kundërshtojnë reformën në arsim dhe askush si dëgjon. Sa më pak qytetarë të ketë në Shqipëri aq më i dobët do të jetë zëri i tyre?, tha Bodani.

NOKA: TË FLASËSH PËR PARAJSË KUR NJERËZIT S’KANË BUKË TË HANË, DUHET TË KESH EMRIN ‘ERJON VELIAJ’

Ora 13:30- I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të qarkut të Kukësit, Flamur Noka. Sipas Nokës, të flasësh për shpresa në një kohë kur njerëzit nuk kanë për të ngrenë, ‘duhet të kesh emrin Erjon Veliaj’. Noka, teksa akuzoi qeverinë Rama se në dy vitet e fundit ka rritur numrin e të papunëve, ndërsa ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike rreth 10 mijë familje. “Të vish këtu e të flasësh siç flet ky zotëria, do të thotë të jesh më i pafytyrë se pafytyrësia, pasi po të nxjerr bojën ty. Me një situatë që jemi sot, se as ky papagalli që kakarisi sot, ku njerëzit po vuajnë për bukë dhe nuk shohin shpresë dhe të flasësh për parajsë, duhet të kesh emrin Erjon Veliaj. Isha dje në ato fshatrat e Kukësit që po flet zotëria, më thanë Flamur kur ishin ju i kishim dy pjata ku hanim, tani s’kemi asgjë. Ja kjo është derexheja që e keni katandisur Kukësin. Qarku më i varfër është Kukësi. Në kohën tonë ishin 18 mijë familje që merrnin asistencë sociales për të mbijetuar, ndërsa në këto dy vite këta e ulën numrin në 7 mijë familje. I bie që të kenë hapur nja 10 mijë vende pune. Por ata i kanë mbyllur bizneset private. A mos i ke punësuar 10 mijë familje?!”, -tha Noka. Më tej Noka, teksa komentonte thënien e Veliajt mbi eksodin dhe ikjen masive të shqiptarëve, se fluks largimesh ka nga komunat e djathta, deputeti i PD-së theksoi se ‘Jo, i urren dhe po i diskriminon’. “Në kohën që ishin ne në pushtet, asistenca ishte mbi 5 mijë lek, ndërsa tani është 2 mijë lekë në muaj. Të paguaj dritat se e fut në burg ky?Ata njerëz janë duke vdekur për bukë deh ndaj ikin. Orë ti (Veliaj) the se ikin komunat e djathta, po Orikumi i djathtë është?! Nuk mund të ketë një emigrim të tillë me prapavijë politike. Kjo pasi zyrtarët e pushtetit tuaj rrinë pas komisariate për të nxjerr pasaportat. Në kohë e Ramiz Alisë ka ndodh eksodi masiv. 4 mijë banor të rrethit Kukës kanë ikur.”, -tha Noka.

VELIAJ: KOMUNAT E PREKURA NGA EKSODI DREJTOHEN NGA PD
Ora 12:45- Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj akuzon kryetarët e komunave dhe bashkive që drejtohen nga PD në mbarë vendin se nuk po shpërndajnë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Sipas Veliajt, kjo situatë është bërë shkak për largimin e qytetarëve.
“Berisha i ka problem dasmat. Ne martohemi si njerëz normalë, s’e di si e kanë ata që martohen me kushërinjtë. Por t’i lëmë këto dhe të trajtojmë problematikat për shqiptarët. Nga vendi po largohen qytetarët nga bashkitë që qeverisni ju të djathtët. Prej 4 muajsh në njësitë 4, 11 në Tiranë, Kukës, Shishtavec, Zapod, nuk jepet ndihma ekonomike. Askush nuk u shërben qytetarëve, apo t’u hapë derën. Paratë bashkitë i kanë që në Janar por nuk kanë mbledhur Këshillat Bashkiakë për t’i shpërndarë. Kjo është strategji për fitore, duke mos shpërndarë paratë e ndihmës ekonomike? Ju edhe lekët që jua shpërndan Qeveria jeni të paaftë t’ua shpërndani qytetarëve. Po as këtë nuk e bëni dhe vini këtu edhe akuzoni”, tha Veliaj.
BERISHA: EKONOMIA NË PRAG TË RROKULLISJES, ËSHTË RRITUR DEFICITI I LLOGARISË KORRENTE
Ora 12:35- 
Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur tek situata ekonomike në vend, duke dhënë alarmin se rrezikohet stabiliteti për shkak të rritjes së papunësisë dhe të deficitit të llogarisë korrente. Duke iu referuar shifrave nga Komisioni Europian, Berisha thotë se papunësia e të rinjve në Shqipëri është rritur në 33 %, ndërsa deficiti i llogarisë korrente është rritur në 25.6.

“Fjalori është i lirë për të gjithë dhe mund të përdorim çdo lloj fjalë, por kur jemi para publikut nuk mendoj se është kjo platformë. Kushti i parë është që të kesh fytyrë, dhe të kesh ç’të thuash. Po merrem me të mirat e mëdha që i ke bërë vendit. E mira e madhe janë mashtrimet që ke bërë, me të cilat i re Shqipërisë kryq e tërthor duke premtuar punësim masiv dhe realizove sh’punësim masiv. Sot edhe shifrat e Gjergjit tënd, janë se papunësia u rrit nga 12 në 18.6 %. Sot edhe shifrat e KE, të cilin ne duhet ta pranojmë thonë se shifrat për papunësinë e të rinjve në Shqipëri janë rritur nga 22 në 33 %. Deficit i llogarisë korrente janë rritur, nga 12.6 në 25.6. E dini çdo të thotë kjo, ekonomia është në prag të rrokullisjes. Këto 4 muaj doganat do ta mbyllim me 7.7 mld deficitin. Do ta mbyllim më pak jo me planin, por 12 % më pak se në 2014. Croën Agency ka zbuluar të gjitha skemat e vjedhjes në naftë. Kompania të cilën ju donit ta përzinit ka zbuluar të gjitha skemat e vjedhjes në kontenier, pra është fajtore se zbuloi vjedhjen. A e dini ju sa kafe e cigare është zhdoganuar në këto 4 muaj? Është një anije kafe që vërtitet nga njëri port në tjetrin se është e një deputeti”, tha Berisha.

DEBATE RAMA-BERISHA PER SEKTORIN E ENERGJISE
Ora 12:12- Kryeministri Edi Rama gjatë diskutimit të projektligjit për “Sektorin e energjisë elektrike” në Kuvend ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë së mëparshme për krijimin e një grope në këtë sektor. Kreu i qeverisë thotë se sektorin e energjisë e gjetën me 540 mln dollarë borxhe nga vendimmarrjet e këqija.

“Projekti që diskutojmë vjen në vazhdën e një reforme të thellë transformuese të sektorit, besoj se është momenti i duhur për të folur me shifra dhe fakte për gjendjen e trashëguar të sektorit, gjendjen aktuale dhe atë të pritshme. Është spektakolare të dëgjosh sesi përgjegjësit për gjendjen e trashëguar të sektorit, flasin sikur po vazhdojnë nga larg, ndërsa deri pak kohë më parë kanë patur në dorë të bëjnë gjërat që thonë sot. Jo vetëm që s’i kanë bërë por i kanë lënë në një rrokopujë të madhe. Sektorin e lanë me 540 mln dollarë borxhe nga vendimmarrjet e këqija. Me borxhe lanë edhe OST duke e bërë të pamundur përmbushjen e funksionit të saj. Linjën e interkonjeksionit me Kosovën e lanë plotësisht të bllokuar për arsye tërësisht të errëta. E latë OSHEE me 1 mld borxhe që tejkalonin disa herë kapitalin e kompanisë, po kështu e latë me 1.3 mln dollarë fatura të pambledhura, duke shënuar nivel historik humbjesh prej 48 %”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri shtoi se sektori i energjisë nga një gropë e madhe financiare do kthehet në një sektor që sjell fitime.
“Nga sektori i problemeve më të mëdha e gropës më të madhe financiare, do kthehet në një sektor të vetëmjaftueshëm që s’do ketë nevojë të financohet nga taksat, në një sektor fitimprurës”.

Por diskutimet për projektligjin për “Sektorin e energjisë elektrike” kanë shkaktuar debate mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Berisha. Ndërsa kreu i qeverisë ka prezantuar me shifra gjendjen e sektorit energjitik dhe masat e marra, ish-kryeministri Berisha ka akuzuar se po dëmtohen qytetarët dhe sidomos shtresat më të ndjeshme nga faturat e papërballueshme.

RAMA-OPOZITËS: KA RRUGË QË JANË INAUGURUAR DY HERË, SE I LATË JU RRUGËVE
Duke ironizuar qëndrimin e opozitës, Rama renditi disa nga të ‘këqijat’ e qeverisjes së tij, teksa përmendi uljen e taksave, çmimit të ilaçeve, tavanit të pensionit, etj. Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Ekzekutivit pohoi se ka pasur raste kur një rrugë është inauguruar më shumë se një herë, por kjo pasi ‘të gjitha janë lënë rrugëve”.

“Të ‘këqijat’ që kemi bërë: Meqë u fol për rrugë ku unë shkoj për herë të dytë e të tretë, e vërteta është që ka shumë rrugë të inauguruara, por të gjitha janë lënë rrugëve. Një rrugë, është dhe rruga e Surrelit. Thonë se rruga e Surrelit është e përfunduar, pasi ka paguar një biznes, por skam fakte. Në shtator të 2013-ës kishim bilancin e 5 viteve që shënon rënie ekonomike. Nga një pikë ku rritja në vitin 2008 figuronte zyrtarisht 7.5 për qind, në 2013 zbriste në 1 për qind. Tre vitet e njëpasnjëshme gjithmonë janë shifrat e INSTAT, por që dhe me shifrat tuaj, 5 vite rresht vetëm rënie. Ulja e çmimit të ilaçeve, siç ishin zotuar, ka sjellë 70 milionë dollar kursime. Të ardhurat e 2013-ës ishin më shumë se të ardhurat e 2008. Kemi mbledhur 175 milionë dollar më shumë tek Doganat. 350 milionë dollar është vlera e borxheve të shlyera ndaj kompanive, borxhe që i latë ju.

Sikur mos të na i kishit lënë ato borxhe, mund të vinin e të thoshit pse nuk keni më shumë investime. Ndaj të kesh gojë ta thuash këtë gjë, vetëm ju mund ta keni këtë gjë. Një tjetër e keqe është e kemi pasur masa lehtësuese, të cilat kanë bërë që 97 për qind e shqiptarëve paguajnë më pak taksa seç paguanin dhe të marrin një rrogë më shumë nga heqja e taksës së sheshtë. Një tjetër e ‘keqe’ që ua kemi bërë shqiptarëve është heqja e pensionit tavan.”, -tha Rama.

BERISHA-RAMES: Ç’TË KEQE TJETËR DO I BËSH SHQIPTARËVE?
I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzoi Ramën se çdo ditë po i bën të këqija të mëdha këtij populli. Sipas Berishës, Rama i çoi OSHEE-në në derë qytetarëve për t’i rrjepur.

“Në mendje më vjen vetëm një kryepyetje për Edi Ramën cila do jetë e keqja tjetër e radhës që ke parashikuar për shqiptarët? Sot me një llogollogji të pafundme mbulove aktin më të papreçedentë, iu vure kazmën në themelet e shtëpive të çdo shqiptari, me një bandë punonjësish të pamëshirshëm që sulen t’ju rrëmbejnë pronën, banesën qytetarëve. Shpirti yt i zi, mendja jote e zezë, autorizove OSHEE të sekuestrojë banesa, asnjë qytetar nuk e ka më të sigurt strehën e tij, banesën, shtëpinë që ka ndërtuar, nga kompjuteri i OSHE mund ti vijnë miliona gjoba të krijuara për të mbushur arkën në mënyrën më banditeske”.

BERISHA: QEVERIA, GJOBA TË TMERRSHME SHQIPTARËVE
Ish-kryeministri Berisha akuzon qeverinë aktuale se po gjobit qytetarët shqiptarë me fatura të papërballueshme për ta. Duke u ndalur më parë tek reforma në arsim, Berisha tha se po dëmtohen qytetarët e varfër.

“U ktheve shqiptarëve afrofenë. Dhe mburresh për inkasime, por gjobit tjetrin me fatura afrofe. Dhe në një familje merr sa për tre. Kjo është gjitha e tmerrshme që u ve shqiptarëve. Javën tjetër do na sjellësh ligjin për arsimin. Edhe aty universitetet mbyllen për të varfrit, ose duhet të marrin borxhe e pastaj të vrasin veten për borxhet. Por ti ke alergji nga arsimi. Kjo punë do përgjegjësi, por ti përgjegjësi nuk ke. Ju vidhni gjithë ditën. Shihni tenderat e tyre”, tha Berisha.

BERISHA: VELIAJ BËRI DY HERË DASMË ME PARA PUBLIKE, I RROFTË MAMAJA
Ish-kryeministri Berisha ka përmendur dasmën e ministrit të Mirëqenies Erion Veliaj, duke hedhur akuza se është bërë me fonde publike.

“Bëhen salltanete të paimagjinueshme. Ku ka ndodhur ndonjëherë të bëhet dy herë dasmë në kështjella, e rroftë mamaja. Nuk iu bën përshtypje ju se bëhet dasma me para publike në kalanë e Gjirokastrës”.

Më tej, deputeti demokrat ka reaguar për premtimet sipas tij të pambajtura të qeverisë Rama-Meta.

“I ke premtuar shërbim shëndetësot falas, por asgjë. Premtove reformë në arsim, e solle Lizat. E dini që Moza merrte 6 mijë euro, jo 5 mijë sa Liza. Mbajtët 6 javë videon e hipotekës, nxirri të gjitha videot, apo i mban peng për të presionuar punonjësit e Hipotekës. Të gjitha dihen”, tha Berisha.

RAMA: PD NE DEPRESION, DO TUA PERCJELLE SHQIPTAREVE
Duke iu përgjigjur Berishës nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Rama renditi disa prej arritjeve të qeverisë së tij, të cilat i la në dorë të shqiptarëve për t’i gjykuar.
“Sot kemi krenarinë që në vitin e parë të qeverisjes sonë të kemi siguruar kontribute më shumë se pensione.
Rritja ekonomike është rikthyer. I referoheni një shifre që për ne është inkurajuese, shifa e njerëzve të regjistruar në kërkim të një pune është gjë elementare e njohur publikisht, se kur rritet shpresa për punësim rritet numri i njerëzve që kërkojnë punë në zyrat e punës. Nëse s’doni të spekuloni, po i referohem të njëjtit burim, INSTAT, nuk është rritur papunësia por numri i punëkërkuesve në zyrat e shtetit. Rritja e konsumit, nëse do të ishim në një fazë depresive siç është PD, që depresionin e vetë mundohet t’ja përcjellë shqiptarëve nuk do kishim konstatuar rritje të konsumit por rënie të konsumit. Kemi një rritje të volumit në tregtinë me pakicë me 4,1% në 4 mujorin e 4 të 2014, ky indeks flet për rritje të qëndrueshme të konsumit. Po folur për rritje brenda zërave të tjera”, sqaroi Rama.

Kryeministri sqaroi më tej se kur kanë marrë mandatin e qeverisjes së Shqipërisë nuk kanë premtuar ta kalojnë vendin nga ferri në parajsë. Ai siguroi se sot ka ndodhur ajo që shpresonte, ecja e vendit në drejtimin e duhur.
“Nuk kemi kaluar nga ferri në parajsë, as nga depresioni në gjendje lumturie, por vendi është në drejtimin e duhur. Kemi vendosur bazën në të gjithë sektorët”.

ALBANA VOKSHI: VELIAJ KA DËSHTUAR ME PUNËN NË MINISTRI, TANI KANDIDON PËR BASHKINË E TIRANËS
Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si përgjegjës për papunësinë në vend e cila po bëhet shkak për largimin e qytetarëve drejt shteteve të tjera. Vokshi tha se Veliaj ka dështuar në punën e tij në krye të ministrisë, ndaj edhe për bashkinë e Tiranës ai nuk do të bëjë asgjë.

“Ministri na e bëri fushë me lule situatën, dhe madje foli me shifra e citoi ndërkombëtarët, por nuk dëgjova për pjesën humane të reformës, për familjet, qytetarët. Kush e mban përgjegjësinë për dhjetëra viktima që u flijuan se nuk i përballuan dot faturat, apo reformat që ju po ndërmerrni.
Shifrat për azilkërkuesit janë alarmante. Mbi çfarë kriteresh u përzgjodh Veliaj për Tiranën? Po kandidon ministri i krizës, se Veliaj bën foto, por dështoi me reformat. Eksodi dhe papunësia kanë rritur numrin e azilkërkuesve. S’ka as punësim e as mundësi. Veliaj pranoi që zonave të PD nuk u jepni fonde, bëni gafë me ndarjen e shqiptarëve. Nuk duhet të lejojmë që të qytetarët tanë të marrin rrugën e emigrimit për të shpëtuar nga keqqeverisja”, tha deputetja Vokshi.

GJIKNURI: LIGJI PER ENERGJINE MBRON KONSUMATORIN
Ora 11:20- Pr/ligji i parë që u mor në shqyrtim ishte ai “Për sektorin e energjisë elektrike”. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, duke mbrojtur pr/ligjin e konsideroi atë “themelin e reformave në fushën e sektorit energjitik në Shqipëri’.
“Pr/ligji u hartua me asistencë të plotë të BE, e cila ka mbikëqyrur këtë proçes.. Punë e mirë është bërë edhe për bashkëpunimin me grupet e interesit. Rol të posaçëm luajtën edhe përfaqësuesit e opozitës, bashkëpunim profesional. Pas hapave dhe masave të marra, pasi sektori ishte në kolaps të plotë, nuk kontrollohej as nga pikëpamja e pronësisë, kishte penguar buxhetin. Qeveria hyri në një marrëdhënie me FMN dhe BB që të çlironte buxhetin e shtetit”.

Duke u ndalur tek reformat për këtë sistem, Gjiknuri tha se, “Kemi blerë 50 mijë matësa, ka shumë konsumatorë pa matësa, por në fillim të vitit tjetër po punojmë që asnjë konsumator të mos jetë i papajisur me matësa të energjisë. Kemi marrë masa të mirëmenaxhimit, mbledhjes së borxheve dhe ashpërsimi i masave për vjedhësit e energjisë. Borxhi ka zbritur në 95 milionë lekë”.

Sipas tij, sektori energjetik mbahet në këmbë kur ka pagesa, ka edhe investime. “Niveli i humbjeve ka shkuar në 32-33% në një vit e gjysmë më parë ishte 45%”.

Duke kërkuar konsensusin e deputetëve, Gjiknuri tha se ky ligj i mbron konsumatorët, sjell barazi dhe jo diskriminim për ta.

RENDI I DITËS

Kuvendi i Shqipërisë u mbodh sot rreth orës 11:00 në seancën e tij të radhës ditën e sotme. Mësohet se në rend të ditës do të jenë 6 projektvendime, të cilat do jenë pjesë e diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës. Një ndër pikat që do diskutohen është projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014”, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 16.04.2015.
2. Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”.
3. Projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8450,datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për Shërbimin Postar në Republikën e Shqipërisë”.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e punës së institucionit të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2014”.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014” .
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
(ed.me/ma.ar/el.es/a.n/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: