TIRANE – Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj, pritet të japë dorëheqjen nga mandati i tij për t’u bërë pjesë e Grupit Parlamentar socialist. Pas dorëzimit të mandatit të Arben Ndokës, Dedaj, i katërti në listën e kandidatëve të qarkut të Lezhës, duket se do të marrë mandatin, ndërsa zëvendësimi i Armando Prengës do të zgjasë në kohë.
Kryeministri Rama nisi dje takimet në rajonet e Veriut të vendit, të cilat i ka marrë në patronazh. Rama, i shoqëruar nga ministrat Kodheli, Cani dhe Nikolla zhvilloi një takim të shkurtër në Lezhë, ku ka prezantuar koordinatoren e rajonit Lezhë¬ Dibër, ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Të pranishëm ishin edhe deputetët, të zgjedhurit vendorë në këto dy qarqe dhe anëtarë të asambleve të bashkive. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe deputeti i qarkut të Lezhës, Arben Ndoka, i cili tri ditë më parë, përmes një letre drejtuar Grupit Parlamentar socialist, lajmëroi dorëzimin e mandatit. Por duket se Ndoka do të jetë pjesë e Partisë Socialiste në Lezhë.
Nuk ka munguar edhe takimi i Ndokës me Kryeministrin Rama para dhe pas kësaj mbledhjeje. Kaosi në listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark, pas refuzimit të dy zonjave, të cilat i dhanë të drejtë Arben Ndokës të merrte një vit më parë mandatin e deputetit dhe procesi gjyqësor ndaj Kastriot Pirolit, të shtatit të listës, duket se do të gjejë një zgjidhje që do të prekë zgjedhjet vendore. Mirdita duket se do të ketë zgjedhje të reja, pas lënies së mandatit të fituar nga Ndrec Dedaj. Kjo zgjedhje diktohet edhe nga deklaratat që kandidati i listës së PS¬-së në këtë qark, Eduard Ndocaj, bëri një vit më parë ndaj Edi Ramës, të cilin e cilësoi bukëshkalë, për shkak se refuzonte ta kandidonte për kreun e Bashkisë së Lezhës.
Në takimin e djeshëm, Eduard Ndocaj ka munguar, pasi ka qenë në Itali. Në takimin me strukturat e Partisë Socialiste, mësohet se Rama ka dhënë udhëzimet e rastit organizative për procesin e hapjes dhe analizës së zgjedhjeve të fundit vendore. Mësohet se kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar që të ngrihen sa më shpejt grupet e punës në këtë rajon për të përmbushur siç duhet fushatën e zgjedhjeve në çdo organizatë dhe strukturë vendore dhe zgjedhjen e delegatëve. Rama ka kërkuar të bëhet kujdes me hapjen e partisë, në mënyrë që organizatat socialiste të mos kthehen në forume ku militojnë anëtarët e një familjeje.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: