Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me debatin që pati dje kryeministri Edi Rama me një gazetar gjatë një konference për mediat, bashkë me ministren Olta Xhaçka.

Në një dalje për mediat nga selia blu, sekretarja për marrëdhëniet me publikun Jola Hysaj theksoi se sjellja e Ramës me gazetarin është akti i paprecedentë.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike përshëndet qëndrimin kurajoz të gazetarit të A2, Klevi Muka. Ne, dënojmë censurën dhe mospërmbajtjen etike e protokollare të kreut të Qeverisë.
Dënimi me riedukim, duke i ndaluar pjesëmarrjen për tre muaj në konferenca shtypi, një gazetari, është një akt paprecedent i marrdhënieve media-qeveri në gjithë Europën.
Të ngjashmit e këtij qëndrimi gjenden vetëm në Turqinë e Erdoganit, Rusinë e Putinit, Korenë e Veriut të Kim Yongut.
Partia Demokratike përshëndet reagimin e “Reporterëve pa kufij” pas incidentit në konferencën e djeshme të shtypit. Me këtë rast, u kërkojmë edhe organizatave të tjera të lirisë së shtypit, që të shtojnë presionin mbi një qeveri që nuk lejon gazetarët t’u bëjnë pyetje ministrave.
Partia Demokratike u kërkon faktorëve relevantë ndërkombëtarë, të përfaqësuar në Tiranë, t’i bashkohen reagimeve kundër censures mediatike.
Raportet e fundvitit nuk mjaftojnë.
Kontradikta mes raporteve dhe qëndrimeve këtu në Tiranë, nuk bie në sy për mirë.
Në fund, ne i kërkojmë kryeministrit Rama të heqë nga komunikimi publik konferencën për shtyp.
Monologu, dhe jo dialogu, është streha e tij. Duket qartë, që në konferencat për shtyp ai nuk mund ta kontrollojë veten, dhe as situatën.
Kur një gazetar është në rrezik të mos-ushtrimit të profesionit, Shqipëria është në rrezik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb