Ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa prezantonte kandidatin e tij për bashkinë Rrogozhinë për zgjedhjet e 14 majit, e quajti qeverisjen nëpër të cilën po kalon vendi, një monizëm të dytë.

Ai shtoi se tashmë të gjitha pushtetet janë në dorë të një personi që tall dhe përqesh edhe vetë kreun e shtetit sikur ta kishte një shërbëtor të vetin dhe jo përfaqësues të shtetit.

Deklarata e Berishës i referohej një fotoje të shpërndarë nga kryeministri Edi Rama të takimit të tij dhe presidentit Begaj, ku ky i fundit nuk ishte në pozicion zyrtar, çka u konsiderua një skandal protokollar.

“Nëse në 8 vite nga Shqipëria, Rrogozhina dhe çdo zonë e këtij vendi u larguan më shumë se 1/3 e popullatës. 937 mijë shqiptarë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengen, mbi 1 milion në të gjithë botën.
Imagjinoni për një moment të vazhdojë kështu, të vazhdojë me këtë sistem me këtë qeverisje. Në 8 vitet e ardhshme, më shumë se kaq dhe pas 16 vitesh askush nuk e di sa qytetarë do kenë mbetur në Rrogozhinë, sa shqiptarë do kenë mbetur në Shqipëri.
A nuk është ky një apel, a nuk është ky një kushtrim për të përdorur në 14 maj votën për ndryshimin e madh, për ndryshimin për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike për të marrë kthesën e madhe. Ka nevojë njëlloj si ajri, që zogu ka nevojë për të fluturuar, ka nevojë si i sëmuri për oksigjen.
Pse ndodh kjo miqtë e mi? Po të mos vinim nga diktatura këtë shpjegim ndofta dhe nuk do ta bëja, por ne e dimë mirë, më mirë se kushdo tjetër në Europë, se ç’do të thotë monizëm, sundim i një partie shtet, se ç’do të thotë kur të gjitha pushtetet merren në një dorë.
Monizmin e parë e kaluam në diktaturë komuniste. Ai bazohej në ideologjinë marksiste-leliniste dhe varfëroi shqiptarët si asnjë vend në botë.
Monizmi i dytë, ky i sotmi është një tragjedi kombëtare. Të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeri i cili edhe presidentin e Republikës, e tall dhe përqesh sikur ta kishte një shërbëtor të vetin dhe jo përfaqësues. Një despot që nuk njeh ligj, që s’ka ligj, s’ka rregull, normë, standard, nuk ka flamur, s’ka nder, nuk ka asgjë”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: