Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për masat e reja të Komitetit Teknik të Ekspertëve, ku u vendos shtyrja me një orë e muzikës në lokalet e natës. Por, ndryshe nga herët e tjera, së fundmi, lajmin për këtë vendim e dha i pari kryeministri Edi Rama, dhe më pas u konfirmua nga Komiteti i Ekspertëve.

Lidhur me këtë, Tomini deklaroi se Komiteti Teknik kishte gjetur dakordësinë me kryeministrin Rama, më herët, për të arritur në këtë vlerësim, pra për të shtyrë me një orë lejimin e muzikës, duke marrë parasysh dhe ankesat e bizneseve.

“Komiteti i Ekspertëve kishte vlerësuar shpesh disa nga ankesat e bizneseve, protestat në Lungomare, dhe gjata asaj dite, në orët e para të mëngjesit, kur kryeministri ishte në rrugë e sipër për të prenoncuar lajmin, ne ishim në mbledhje dhe në drekë dhamë lajmin. Kishim gjetur dakordësinë e kryeministrit për të arritur në këtë vlerësim, sepse normalisht Komiteti i Ekspertëve rekomadon, Ministria e Shëndetësisë më pas merr urdhrin për të shtyrë orën policore, duke ia rekomanduar edhe Ministrisë së Brendshme, pasi muzikën në terren e monitoron policia”, tha Tomini.

E pyetur nëse ishte e mjaftueshme shtyrja me një orë, zv.ministrja deklaroi se “Ne kemi qenë në nivelin e masave të moderuara, asnjëherë ekstreme. Masat asnjëherë nuk japin kënaqësi te publiku, se në fund të fundit, janë masa kufizuese, por duhet t’ia lëmë komitetit ta vlerësojë situatën. Mbi të gjitha ka predominuar shëndeti i popullatës, dhe sigurisht që do të ketë pakënaqësi, por duhet ruajtur shëndeti. Po të vini re dhe në dy apo tre ditët e fundit, ne kemi një tendencë në rritje dhe kjo është si pasojë e lehtësimit të masave. Favorizmi i muzikës për orë të gjata sjell rritje të transmetimit të virusit. Janë disa faktorë që duhet t’ia lëmë ekspertëve t’i vlerësojnë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb