TIRANE- Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit darkuan mbrëmë deri pas mesnate në restorant “Prestige”. Takimi mes tyre erdhi në një moment kur dy partitë kryesore të koalicionit kanë pika ndarjeje për sa i përket reformës në drejtësi.

Darka për mbi 3 orë e krerëve të koalicionit qeverisës nisi rreth orës 9 të mbrëmjes dhe përfundoi pas mesnatës. Pas darkës, nuk pati asnjë koment nga Rama dhe Meta, por ata dukeshin të buzëqeshur dhe të dy iu drejtuan makinave respektive që prisnin jashtë restorantit.

Ditën e djeshme, pati një “mesazh” nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim drejtuar Edi Ramës. Luan Rama tërhoqi vëmendjen e qeverisë për respektimin e rekomandimeve të FMN-së lidhur me situatën ekonomiko-financiare në vend.

Takimi mes dy liderëve të koalicionit të majtë vjen gjithashtu, në një kohë kur një pjesë e portaleve online kanë aluduar për ndryshime të mëtejshme në kabinetin qeveritar. Vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka përsëritur se impulset e reja në qeverisje, janë gjithnjë pozitive.

REFORMA NE DREJTESI
Deri dje, ndarja më e madhe brenda koalicionit të majtë dukej se ishte ajo për sa i përket reformës në drejtësi. LSI-ja insiston të dëgjohet Komisioni i Venecias dhe të kërkohet konsensus, kurse PS-ja kërkon të miratohet vetëm drafti i ekspertëve. Sot, ekspertë të “Venecias” do të vijnë në Tiranë.

Por, pak ditë më parë, drafti i ekspertëve të nivelit të lartë për reformën në drejtësi iu dërgua për marrje mendimi Komisionit të Venecias, së bashku me opinionin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Javën e kaluar, pas më shumë se tri orë e 30 minutash diskutime në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, ky ishte i vetmi konsensus i arritur mes palëve. Ajo që i ndau sërish ishte formula e zgjedhjes të anëtarëve në sistemin e drejtësisë.

Drafti i ekspertëve, i prezantuar nga Sokol Sadushi, parashikon votimin me shumicë të cilësuar 3/5, ndërsa demokratët i qëndrojnë variantit për shumicë kushtetuese me 2/3. Në kundërpërgjigje, kreu socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj tha gjatë negociatave se me 3/5 nuk çimentohet kapja e drejtësisë. “Së pari, të gjithë biem dakord dhe shprehim vullnetin politik si ligjvënës, se reforma në drejtësi është themelore për procesin e integrimit, por mbi të gjitha për demokracinë në Shqipëri, shtetin e së drejtës dhe qytetarët shqiptarë. Së dyti, biem dakord se projekti që kemi ka një bazament të shëndetshëm, me të cilin të gjithë ndajmë sh

umë të përbashkëta, por me rezerva, pasi kemi dhe këndvështrime të ndryshme për çështje të veçanta nga pikëpamja e leximit që u është bërë rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, – deklaroi Xhafaj. Ai gjithashtu replikoi edhe me opozitën sa i përket pretendimit të saj se me zgjedhjen e krerëve të sistemit të drejtësisë me votim me 3/5 në Kuvend, kryeministri Rama kërkon kapjen e sistemit.

“PS-ja ka 62 vota në Parlament, pra jo 84. Atëherë si mund ta kapë, PS-ja apo kryeministri Rama drejtësinë kur ne nuk i kemi 84 votat?!” – iu drejtua Xhafaj, kolegëve të PD-së. Ndryshe nga opozita, aleati i socialistëve, LSI-ja prezantoi pikat që e ndanin me draftin e ekspertëve. Spartak Braho tha se reforma në drejtësi duhet të kalojë vetëm përmes konsensusit.

“Ndahemi me draftin te sistemi i karrierës. Ne duam të dominojë sistemi i karrierës, që ai të jetë thelbi i kritereve. Kemi një mendim ndryshe për mandatet, kemi një riformulim tonin mbi zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sipas modelit gjerman. Kemi një opsion tjetër për organizimin e Gjykatës së Lartë, duke gjykuar që ajo duhet të jetë një dhe e vetme, e ndarë sipas seksioneve”, – deklaroi Braho.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: