BERAT- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama është ndalur mbrëmjen e sotme në Berat për të zhvilluar një takim elektoral me banorët e këtij qyteti. Duke u shprehur falënderime qytetarëve të Beratit për mbështetjen e dhënë ndaj PS e LSI në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013, Rama tha se do të zhvillohen investime dhe projekte në këtë qytet për t’i dhënë zhvillimin e duhur.

“Kjo është pamja më e jashtëzakonshme e kësaj fushate të jashtëzakonshme. Unë dua t’ju them me sinqeritetin më të thellë se ne përfaqësuesit e socialistëve dhe progresistëve kemi nderin të drejtojmë sot këto dy parti, dhe këtë forcë të vetme, dhe kemi një borxh për të shlyer me këtë qytet, me këtë bashki të re, me këtë popull të jashtëzakonshëm. Ka ardhur koha që ky partneritet strategjik të mbajë përgjegjësinë historike që ka ndaj beratit dhe ta shlyejë këtë borxh me punë në shërbimin e të gjithëve ju. Plagët e çelura në kaq shumë vite, problemet e rënduara, nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit, dhe nuk mjaftojnë 18 muaj për t’i zgjidhur ato. Por ju kemi dhënë provën se investimi juaj më 23 qershor ishte i duhuri për fuqinë e duhur. Projektet e zhvilluara në këto 18 muaj janë vetëm fillimi i një rrugëtimi të përbashkët. Siç ndrit sot ky shesh dhe pedonalja e bukur, do të shndrije pas 4 vitesh i gjithë qyteti. Investimet do të prekin çdo pjesë të bashkisë së re, nga qendra deri në fshatin më të largët”, tha Rama.

Rama premtoi se do mbështesë programin e kandidatit të ASHE dhe se do bëj të pamundurën që ky program të realizohet pikë për pikë. Ai e konsideroi Partinë Demokratike një çetë në drejtim të paditur.

“Unë e kam ndjekur me vëmendje rrugëtimin e Petritit në këtë fushatë, mbledhjen e mendimeve, dhe mbajtjen në shënim të problemeve të banorëve. Dua t’ju siguroj se pas këtij programi do jetë e gjithë ASHE. Në mbështetje të këtij programi do jetë me mish dhe shpirt qeveria shqiptare. Për të realizuar një për një këtë program unë do jem në krah të Petritit për të adresuar çdo problem dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Motra dhe vëllezër deputeti i beratit miku im Nasip Naço bëri një llogari dhe tha 23 dhe 47 bëjnë 70 dhe aq do jetë edhe përqindja e mbështetjes që do marrë Petriti. Unë jam i shqetësuar për 30% tjetër, për demokratët anëtarët dhe simpatizantët e një partie që lindi si forca e madhe e shpresë dhe sot është një çetë në drejtim të paditur.

Fushata e PD nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjen që do bëj populli shqiptar në 21 qershor. Fushata e tyre tregon një përrallë nga e kaluar që shqiptarët e lanë pas në 23 qershor. Tregon një përrallë ku flitet për drita pothuajse qyl për të gjithë taksat më të ulëta në botë dhe rritje të pensioneve. Ta zamë se fiton kandidati i tyre kush do i risi pensionet Kasua? Kjo është një tallje e madhe që shpreh një dëshpërim të madh. Dëshpërimin e humbjes, të atyre që janë të vendosur në rrugën e humbjes dhe shkojnë nga humbja në humbje pa e kuptuar që nuk ka asnjë mundësi që ti marrin shqiptarët për aq budallenj sa të besojnë që rrota e historisë do kthehet mbrapa. 21 qershori nuk ka lidhje me përrallë nga e kaluara të PD por me çfarë do ndodhë. Përballë këtyre dy drejtimeve, përballë drejtimit të pa ditur të PD dhe drejtimit të duhur të ASHE i ftoj demokratët të zgjedhin drejtimin e duhur.”- u shpreh Rama.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: