Deputetja e Partisë Demokratike Sorina Koti e ka krahasuar sulmin ndaj “Prestige Resort” me ndërhyrjen e paligjshme në banesat private.

Duke folur për gazetarin e Panorama TV Klevin Muka, Koti deklaroi se kryeministri kërkon të kontrollojë gjithçka ndërkohë që i bëri thirrje mediave të vazhdojnë misionin e tyre për fjalën e lirë.

“Kemi kohë që themi që zgjedhjet nuk janë të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Nëse hyn në ambientet e një biznesi është njësoj sit ë hysh në shtëpinë time pa pasur autorizim. Kryeministri kërkon të kontrollojë gjithçka. Unë shpresoj që media të bëjë detyrën e saj në ditën e zgjedhjeve sepse do të jetë vërtetë një ditë e tensionuar. Duhet të reagojmë shumë fort nëse na cenohet vota. Nëse ne na kalon edhe kjo radhë me vota të blera dhe të vjedhura në 2025-n nuk do të ketë më demokraci”, deklaroi Koti.

Sipas saj me veprimin e tij një ditë pas publikimit të raportit të DASH, Rama kishte për qëllim t’i tregonte Shteteve të Bashkuara të Amerikës se punët e brendshme në Shqipëri i kontrollon vetë ai.

“Kryeministri do të tregojë superfuqinë e tij. I duket vetja si perëndi në territorin e Shqipërisë. Kontrollon median dhe pushtetin gjyqësor. Kërkon t’i japë mesazh SHBA-ve duke iu thënë që punët e brendshme i kontrolloj unë. Kjo tregon çmendurinë e një kryeministri sepse i duket vetja që mund të qeverisë pa praninë e institucioneve të pavarura duke i bërë indirekt një presion. Po shfrytëzon postin e kryeministrit por duket që me humbjen e pushtetit, zotit Rama do i hapen çështje të njëpasnjëshme. Kjo ka qenë një formë për t’i bërë presion edhe ndërkombëtarëve.

Që me ardhjen në pushtet ai e ka quajtur median kazan por harron që media raporton atë që ndodh me të vërtetë. Tashmë është roli i medias që duhet t’i tregojë kryeministrit që media është e pavarur. Duhet të ketë një reagim në nivel ndërkombëtar për të gjithë mediat që duhet të reagojnë. Nesër do të jetë një grup tjetër dhe më pas do të na vijë të dera jonë. Njerëzit duhet të bëhen bashkë për një kauzë më të madhe siç është media e lirë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb