Përfaqësuesi i Partisë Demokratike dhe Aleatëve, Marash Logu, paraqiti para trupës së anëtarëve të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, të gjitha pretendimet e PD në lidhje me manipulimin e votave në Qarkun e Gjirokastrës, por jo vetëm.

Logu paraqiti sipas tij, të gjitha shkeljet që janë bërë nga administrate publike gjatë fushatës zgjedhore, ku janë lëshuar mijëra leje ndërtimi e legalizime.
Ai e cilësoi si skandal publikimin e të dhënave personale të qytetarëve të Tiranës, e sipas tij, kjo skemë ishte e shtrirë në të gjithë vendin.

Sipas përfaqësuesit të PD, zgjedhjet në këtë qark duhet të shpallen të pavlefshme dhe të ripërsëriten, pasi sipas tyre, ka prova e fakte të mjaftueshme që KAS të marrë një vendim të tillë.

Marash Logu: Të nderuar anëtarë të KAS, PD në emër të aleancës për ndryshim ka paraqitur përpara jush materiale duke shpjeguar në mënyrë të detajuar shkeljet që kanë ndodhur në Qarkun e Gjirokastrës, para pas dhe gjatë procesit zgjedhor. Bledar Çuçi në bashkëpunim me dy persona të tjerë kishte ngritur një strukturë për blerjen e votës në Qarkun e Gjirokastrës. Këta shtetas drejtonin një strukturë kriminale. Shtetasit, Julian Çibini, Ervin Hoxha, etj. Krahas 26 provave tona ju kemi treguar provat e tjera që duhet të merrni në SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, drejtorinë e Policisë së Shtetit. Por ju refuzuat. Keni refuzuar të bëni transparencë për blerjen e votës në Qarkun e Gjirokastrës. Kjo shkelje flagrante të nenit të Kodit Zgjedhor, u përsërit me mijëra raste në të gjithë Shqipërinë. Ju treguam me prova e fakte, si Edi Rama, Bledi Çuçi, promovuan punime publike. Edhe këtë provë refuzuat ta merrni. Keni refuzuar të bëni transparencë se si partë u vendosën në Qarkun e Gjirokastrës. Ne ju parashtruam se administrata zgjedhore u rrit me punonjës muajt e fundit. Vendet e punës, ndihma ekonomike, u vu në dispozicion në Qarkun e Gjirokastrës. Lejet e legalizimit dhe ndërtimit u përdorën masivisht nga PS. PD ka foto dhe video duke shpërndarë leje legalizimi gjatë fushatës elektorale. Qytetarët e dinë mirë këtë që do të them tani. Inspektorati për mbrojtjen e territorit i kanë njoftuar për prishjen e ndërtesave të tyre dhe ajo video-regjistrim ishte i vërtetë. Ne ju parashtruam që në Janar, Mars 2021, u dhanë mbi 10 mijë leje legalizimi. Ne ju parashtruam se si shteti i vendosi të dhënat e qytetarëve në serverat e PS. Ky model ishte instaluar jo vetëm në Tiranë, ku dolën publikisht, të dhënat e 910 mijë qytetarëve. Por kjo skemë ishte e shtrirë në të gjithë vendin. Edi Rama, Bledi Çuçi, Taulant Balla, u shfaqën publikisht dhe falënderuan patronazhistë që vidhnin të dhënat tona personale, për rezultatin gjoja historik të 25 prillit. Pavarësisht qëndrimeve tuaja, e dini që është shkelje e rëndë e përmasave jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare që do të trondiste themelet e çdo shteti normal kudo në botë. Ne ju treguam provat e tjera për të vërtetuar pretendimet tona pranë SPAK, për skandalet e mbledhjes, përdorimit të dhënave personale. Ju keni refuzuar të bëni transparencë. Vendimi i Komitetit Teknik i javë para zgjedhjeve, i hoqi të drejtën për të votuar 500 mijë shtetasve shqiptarë me të drejtë vote që punojnë në Greqi apo Maqedoninë e Veriut. Faktet tregojë, që ky vendim nuk kishte efekt për të gjithë shtetasit shqiptarë, por vetëm për votuesit e opozitës, pasi votuesit e PS, jo vetëm që erdhën dhe votuan, por ishin numërues në Qendrat e Votimit. Kjo provë e marrë nga KQZ, dëshmon qartë se vendimi për t’i hequr të drejtën 500 mijë shtetasve shqiptarë kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor të opozitës së bashkuar në këto zgjedhje. Edhe këto prova i refuzuat, ju refuzuat të bënit transparencë të plotë dhe refuzuat të bënit transparencë për 500 mijë votues shqiptarë.

Ledio Braho: Nuk jeni këtu për të na bërë gjyq publik ne të KAS-it. Jemi këtu për të gjykuar pavlefshmërinë. E dimë çfarë kërkesash janë rrëzuar këtu, ju mund të bëni pretendimet çdo të bëni me ato prova dhe me provat e tjera që keni depozituar.

Marash Logu: Këto procese bëhen për qytetarët, për 620 mijë qytetarë që i kanë besuar PD. Bëhet për 3.5 milionë shqiptarë që kishin të drejtë për të votuar. Kërkoj të mos ndërpritem.

Ledio Braho: Patjetër, nuk dua të bëni gjyq publik për KAS-in.

Marash Logu: Nëse kemi pretendime që KAS ka vepruar në paligjshmëri, duhet ta themi këtë gjë.

Ledio Braho: Je i lirë ta bësh këtë gjë.

Marash Logu: Në Qarkun e Gjirokastrës pati 2.317 fletë votimi të pavlefshme. Nuk u ndalët për ta shqyrtuar këtë çështje. Duhet t’i kërkoni ndjesë 83 mijë qytetarëve që ju prodhuat aq konfuzion, siç thotë raporti i OSBE, nuk shtruan të drejtën e tyre siç mendonin. Sollëm raste të shumta të votimit të shumëfishtë, familjarë, votimit nga të tretë. Kërkuam të merreshin të dhënat e pajisjes PEI, fatmirësisht kjo gjë u pranua. Të dhënat e marra nga PEI flasin vetë. Shenjat e gishtërinjve të 12 personave janë përdorur për identifikimin e 70 zgjedhësve. Ne e pyetëm këtu nënkomisioneren që a ekziston mundësia që dikush ka pasur karta identiteti të jenë paraqitur në qendra votimi dhe të kenë votuar më shumë se sa një herë. Përgjigja ishte po, ekziston kjo mundësi. Mjafton ky fakt për të shprehur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark. Jemi në raste flagrante të blerjes së votës. Ne e bëmë detyrën tonë, edhe para 20 mijë zgjedhësve që na kanë votuar në Gjirokastrës. Detyra jonë ishte të tregonim me fakte dhe prova që 25 prilli ishte dita ku blerja e votës, vjedhja e të dhënave personale dhe votimi 5 apo gjashtë herë të një personi fituan mbi vullnetin e shqiptarëve. Sot është dita juaj të bëni detyrën. Të silleni si noter i masakrës së 25 prillit, apo të silleni si gjyqtarë me integritet dhe që nuk lejoni që vullneti i zgjedhësve të ndikohen nga krimi dhe paligjshmëria. Ne nuk do të ndalemi këtu, do të shterojmë çdo mjet dhe mundësi për të hedhur dritë në zgjedhjen më të madhe në historinë e zgjedhësve. Ne këtë betejë e bëjmë për qytetarët shqiptarë që janë viktimat e vërteta në 25 prillit të vitit 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: