Ish drejtuesi i Policisë Ismail Elezi i ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me aksionin e IKMT-së në Prestige Resort, teksa tha se IKMT së bashku me Policinë e Shtetit, qeverinë e prokurorinë u bënë bashkë për këtë ngjarje dhe nuk foli askush.

Sipas Elezit policia e shtetit nuk ka pasur arsye për të ndërhyrë ditën e sotme në ambientet e resortit për shkak se nuk ka pasur arsye, ndërsa shtoi se  prokuroria e rrethit  gjyqësor Kavajë duhet të ishte në ambientet e resortit pasi aty është një skenë krimi.

Elezi shtoi se nuk e di nëse kryeministri Rama këshillohet nga dikush apo jo për vendimet e tij, ndërsa tha më tej se me veprime të tilla po e bën jetën e qytetarëve më të pasigurtë

“Si çdo  qytetar e kam ndjekur situatën se çfarë ka ndodhur pranë Prestige Resort. Të gjitha palët, IKMT, policia e shtetit, qeveria, prokuroria u bënë bashkë dhe nuk foli askush. Institucionet e zbatimit të ligjit, kanë detyrimin ligjor të njoftojnë për ato veprime, në këtë rast për prishjen e resortit. Kjo lajmërohet pasi qytetari ka marrë njoftim dhe i drejtohet gjykatave. Ai resort ka disa vite që shfrytëzohet për turizëm, e them me keqardhje se kur pashë që ky resort u konfirmua se është me leje e firmosur nga kryeministri, pyeta veten çfarë pune kishte policia këtu.

Këtu është skenë krimi, janë futur forcërisht, mësyjnë fadromat drejt prishjes së objektit, është skenë kriminale pikë. Duhet bërë një kallëzim penal, duhet ta bënte prokuroria e rrethit Kavajë të këqyrte vendin e ngjarjes, këta u bënë të gjithë palë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nuk e di me sa mend i kanë çuar ato forca policie atje. Jepet një lajmërim për t’i dhënë kohë të gjithëve që të mund të largohen nga objekti. Policia futet në raste kur ka elementë terroristë e kriminalë në ambiente. Mënyra e futjes është e gabuar, prokuroria e rrethit gjyqësor Kavajë duhet të ishte në vendngjarje sepse aty është skenë krimi. Paligjshmëria fillon që lart e zbret poshtë, nuk e di a e këshillon njeri këtë kryeministër por dikush duhet ta ndalë këtë patjetër. Me veprime të tilla po na e bën jetën të pasigurtë në Shqipëri. Vjen momenti tani i turret resortit, e sigurt po të ketë probleme të tjera do i turret dikujt tjetër.

Në momentin që prishet ai objekt i bëj thirrje pronarit të objektit të bëjë një kallëzim penal. Akuzoj drejtpërdrejtë drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, nëse ai i ka çuar ato në zbatim të ligjit të dalë e të sqarojë opinionin publik. Janë të detyruar të dalin e të sqarojnë të vërtetën. Kur ka një vendim për shkatërrim mbaron historia, por vendimi ka kriteret e veta se si duhen zbatuar”, deklaroi Elezi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb