Flutura Açka nuk hyri në politikë vetëm për fjalën, as për të bërë sehir politik. Shkrimtarja deputete ndjehet e tronditur prej skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë Rama apo “kurthit të frikshëm” ku ka rënë opozita, e cila sipas saj, ka ngatërruar “armikun”. Znj. Açka thotë për gazetën “Panorama” se ka keqardhje për situatën në të cilën gjendet aktualisht PD-ja teksa zgjidhjen e problemit e sheh nga aty ku filloi ndarja, në “zënkën” Berisha-Basha.

Në gjykimin e saj te tërheqja e të dyve fillon bashkimi i PD-së. Znj. Açka flet për një erë të re politike, që të rikthejë shpresën mes demokratëve, që të tërheqë forcat gri të këtij vendi, që të kthejë kah shpresa edhe mijëra socialistë të mërzitur nga qeverisja e papërgjegjshme e të vetëve dhe ta kthejë opozitën në pushtet. Kurse Kryeministrit Edi Rama i kërkon dorëheqjen pas skandalit “McGonigal” dhe të vihet në dispozicion të organeve të hetimit. Flutura Açka shprehet se Rama duhet të shpjegohet pa imunitet para drejtësisë dhe shqiptarëve, të cilët sipas saj, kanë gati 25 vite që e qerasin atë me jetë luksoze, me pushtet e pushtërira skandalesh të njëpasnjëshme. Ajo denoncon se paratë e shqiptarëve, janë kthyer në male tullash e betoni, në resorte turistike të oligarkëve, në tunele, aeroporte e porte që u shërbejnë vetëm fshatrave të tyre turistike. Flutuara Açka apelon se nëse të papërgjegjshmit nuk përgjigjen për zullumet, këtu nuk do të mbetet asnjë shqiptar…

Znj. Açka, ditët e fundit politika dhe publiku shqiptar është përfshirë në debatin e akuzave të një ish-agjenti të FBI-së dhe lidhjet e tij me Kryeministrin shqiptar dhe rolin e këtij të fundit në lojën kundër Partisë Demokratike.

Shqipëria ka muaj që jeton vetëm me lajme nga kampi demokrat, media shqiptare merret vetëm me këtë. Ndërkohë, skandalet qeveritare të dhjetë viteve të fundit i kanë shtyrë 1 milion shqiptarë ta braktisin vendin. Siç shihet nga ngjarjet e fundit, KM-ja shqiptar mund të jetë një “non grata” i ri, por media, të cilën ai e kontrollon plotësisht, e mbylli debatin në 24 orë. Kjo është shumë e frikshme. Mjafton lidhja e tij me skandalin e agjentit të FBI-së në Amerikë, pagesat nga njerëz të afërt të pushtetit këtu, miqësinë kaq të shkujdesur të KM shqiptar me të, ndikimi në zhvillimet politike në Shqipëri, që KM të jetë menjëherë objekt hetimi. Deri tani lajme të tilla, KM i ka quajtur legjenda urbane, por tani nuk janë më të tilla. Ai duhet të japë dorëheqjen dhe të vihet në dispozicion të organeve të hetimit, të shpjegohet pa imunitet para drejtësisë dhe shqiptarëve, të cilët kanë gati 25 vite që e qerasin atë me jetë luksoze, me pushtet e pushtërira skandalesh të njëpasnjëshme. Sa herë kujtoj shprehjen e një prokurori shqiptaroamerikan, i cili punoi disa vite me dosjet e hetimeve të eksponentëve të lartë politikë në Shqipëri “se nuk kishte parë askund aq padrejtësi sa në këtë vend”, tronditem. Çfarë di ai që ne nuk e dimë, dhe kur do ta dimë ne atë që ata dinë?

Skandali më i fundit i qeverisë e gjen PD-në të ndarë më dysh pavarësisht se duhet ta ketë në betejat e saj. Por demokratët vazhdojnë të jenë të ndarë në dy fronte, në njërën anë Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, dhe në anën tjetër Enkelejd Alibeaj me të vetët. A ekziston një shteg për bashkimin e demokratëve që t’i bëjë ballë kësaj qeverie…?

Çështje si ky skandal i fundit, janë detyrime të opozitës t’i ketë në betejat e saj, por ajo duket se është në një kurth të frikshëm, një pjesë e saj madje ka ngatërruar armikun. Druaj të them gjëra të prera për ëndrrën e bashkimit, pasi thyerja mes palëve, jo vetëm është e dukshme, por është malcuar në një gradacion të tillë moskuptimi, sa dukemi dy kampe të gatshëm për skizmën finale.

Si mbërriti Partia Demokratike deri në këtë gjendje?

Ashtu, përditë e nga pak, duke ushqyer urrejtje nga e vetëquajtura “pala e madhe”, duke e denigruar, fyer, poshtëruar e baltosur e ashtuquajtura “pala e vogël”. Që janë po aq demokratë sa ata. Kjo ndodhi pasi L. Basha u dorëhoq, një akt evropian në politikën tonë: nëse ka qenë i sinqertë do ta tregojë koha. Por, a ndali balta? U gjet një shënjestër e re, dhe nëse edhe ajo bie, do të gjendej një më e re për alibi ndaj demokratëve. Nuk besoj se ka ndonjë gjë më shqiptare se kjo: alibia e fajtorit.

Çfarë është më e mira për PD-në? Çfarë nuk duhet të ketë në përmbajtjen e saj?

Nuk ka lidhje me përmbajtjen e PD-së, është po ajo përmbajtje mes nesh, por tani e ndarë më dysh. Madje disa figura qendrore politike, të cilët deri dje ishin drejtues të së gjithës, tani janë drejtues vetëm të njërës palë, Rithemelimit, madje me të njëjtët tituj politikë. Pra, tani janë shumë më pak se më parë. A ka ndonjë kuptim a legjitimitet opozitar kjo përmbajtje, e cila ka lënë një pjesë të mirë të partisë jashtë saj?! E gjithë çështja ka të bëjë me cilësinë e të bërit politikë, të të kuptuarit të momentit historik, të ngritjes nga interesat e ngushta të personit që je, në nivelin e interesave të grupit, të komunitetit, të forcës politike që përfaqëson. Ne jemi në pikën për të vendosur mes “së drejtës dhe së drejtës”, sipas opinionistit të konflikteve, Amos Oz, dhe në një shoqëri me ligje, e drejta ligjore është mbi çdo të drejtë, qoftë edhe ajo populiste, e marketuar nga ethja e turmës. Të ashtuquajturat zgjedhje që ndodhën njëra pas tjetrës në PD, zgjedhje nëpër të cilat kaloi me hir a pahir një pjesë e demokratëve me detyrimin për të përligjur gjënë e re, politikën ndryshe që do të sillte Berisha me rikthimin e tij në krye të PD-së, në të vërtetë i përçanë ngadalë edhe më shumë demokratët. Ne demokratët po bëjmë një “vetëvrasje demokratike” me këtë sjellje, që sipas J. Adams po na rraskapit dhe po na bën të hamë vetveten. Nga përsëritja e vetvetes. Vetë më ka mbetur vetëm zeja e sehirit, sepse askush nuk dëgjon askënd. Flet vetëm Berisha: mëngjes, drekë, darkë.

Pika gravitacionale në PD është grupi parlamentar. Në vend që aty të gjendet çdo zgjidhje e problemit, duke nisur nga konsultimi i brendshëm në PD, pasi janë vetë deputetët ata që e kanë sovranitetin, pikërisht brenda grupit u thellua përçarja. Kjo për shkak se Enkelejd Alibeajt njoftoi përjashtimin nga grupi parlamentar të katër deputetëve, Tritan Shehun, Belind Këlliçin, Oerd Bylykbashin dhe Agron Shehajn. Pse e quajtët marrëzi të vogëlsisë…?

Çdo lloj përjashtimi në sytë e mi është një akt antidemokratik, qoftë ky i katër deputetëve, qoftë ai i përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar, qoftë etiketimi si “armiq” i një pale që nuk ndoqi ethen rithemeluese të PD-së. U përpoqa të jap një panoramë më të gjerë të situatës, ky është vetëm një detaj i saj. Përjashtime të tilla kanë qenë zhvillime ku unë personalisht nuk kam marrë pjesë, dhe akti i fundit është vetëm rezultat i vendimeve të marra një vit më parë, madje edhe me dorëzaninë e zellshme të disa prej kolegëve të grupit ku ata janë tani, të cilët duhet t’iu kërkojnë falje. Zgjidhja e problemit të PD-së nuk vjen nga grupi parlamentar, por nga aty ku filloi ndarja, në “zënkën” Berisha-Basha. Sikur ata të dy të ishin në orë të mira – siç ishin me vite të tëra – edhe PDja do të ishte sot në orë të mira, pra, do të varej nga humori mes tyre. A meriton një parti demokratike evropiane të varet nga humori i liderëve të saj të vjetër e të rinj?

Cila është mënyra për të qenë bashkë demokratët…? Cilët janë faktorët që mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës së vështirë në PD?

Situata është shumë e acaruar, plagët e thyerjeve janë të thella dhe vetëm një fashim i sipërfaqshëm, nuk mund t’i shërojë. E para, duhet të ndalet gjuha e dhunës, e fyerjes, e përbaltjes, e lëndimit dhe e poshtërimit të palës jashtë foltores. Demokratë janë të gjithë, dreqi e mori! Partitë nuk janë ndërmarrje, por bashkim vullnetesh. Të jesh vetëm shumica, nuk do të thotë se je e drejta, kur këtë shumicë e ke bërë në rrugë jo institucionale, me revolucion gati bolshevik. Lëvizja e Sali Berishës ishte një puç partiak që e ndau partinë, dhe tani nuk ka më rëndësi ku janë shumë e ku janë pak, ku ka më shumë e ku ka më pak. Thjesht, nuk janë bashkë. Dhe kjo është përgjegjësi shumë e madhe politike. E dyta, duhet një amnisti e plotë shpirtërore, morale, etike, njerëzore dhe politike mes demokratëve. Të largohen nga nocionet Ne dhe Ata, ne duhet të jemi tani e tutje vetëm Ne, të gjithë bashkë. Por atje nuk shkohet pa tërheqje, pa ndjesa. E treta, të zhbëhen të gjitha aksionet, kinse zgjedhjet nëpër struktura dhe të tjera të tilla që nuk ishin gjithëpërfshirëse për demokratët. Mund të kemi bërë thirrje për bashkim, por a kemi vullnet bashkimi, pasi ai duhet të nisë atje ku nisi skizma. Mendoni 8 janarin, mendoni sikur të kishim viktima! Si mund të kenë moral politik pas 8 janarit shkaktarët e tij? E katërta, zoti Berisha duhet të tërhiqet, të bëjë një hap pas, e përfundimtar. Dhe ta lërë partinë të reformohet tërësisht, me një transparencë të plotë dhe me një aksion demokratik që do të përfshijë forca të reja në PD, të mbledhë sinergjinë e mbledhur të shqiptarëve që presin. Vetëm një grup vajzash e djemsh të rinj, të papërlyer, të shkolluar, të zotë, mund ta trembë këtë regjim të strukturuar në kufijtë e diktaturave që ky komb ka njohur, edhe pse ka ngjyrimet e demokracisë. Ne nuk jemi në demokraci hibride, ne jemi në diktaturë hibride dhe ky është një alarm i madh për politikanë të përgjegjshëm.

A ka mundësi PD-ja që të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit? Sa do ta dëmtojë PD-në ndarja në zgjedhjet lokale, nëse deri atëherë nuk arrihet mirëkuptimi mes palëve për bashkim?

Grupi i Alibeajt u përpoq që të komunikonte me Foltoren dhe në respekt të demokratëve hartoi një program bashkëpunimi për zgjedhjet, duke mandatuar z. Gazmend Bardhi si negociator. Pati edhe bisedime mes palëve. Refuzimi nga ana e foltores ishte kategorik: njohim veç primaret, të cilat, me ç’duket tani, shtynë në një krisje e re mes demokratëve, në disa rrethe shumë problematike, në të tjera pa kandidatë garues. Si mund ta quash këtë proces të drejtë dhe përcaktues në zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale?! Ka shumë skeptikë nga të dyja palët, nëse do të mundet demokratët të bashkëpunojnë për zgjedhjet lokale të 14 majit, a do të quhet ky bashkim, a do të quhet ky pranim? Dy gjëra janë thelbësore: demokratët nuk duhen shtyrë të votojnë majtas dhe as të pranojnë që sigla politike e tyre me të cilën lidhën tridhjetë vjet fatet, të venitet politikisht prej paaftësisë së liderëve të tyre. E di, nuk është e lehtë të ulesh befas në tryezë bisedimesh dhe të duket sikur po ndan tortë. Por, palët duhet të ndihen të barabartë, të sigurt. Nëse nuk e bëjnë, thjesht po i shërbejnë ndarjes. Nëse nuk e arrijnë këtë me çdo kusht, çdo demokrat ka të drejtë të mendojë se ndarja mund – pra, mund – të ketë qenë edhe parakusht.

A është e riparueshme thyerja brenda PD-së? Kush mund t’i pajtojë demokratët? A duhet të negociojë me palët PPE para zgjedhjeve me qëllim që PD-ja të shkojë e bashkuar më 14 maj?

Gjithnjë të huajt na kanë kapur për veshi, nuk e di në do të jetë ky rasti. Kam vërejtur se disa figura autoritare të politikës shqiptare po bëjnë përpjekje të ulin palët në një tryezë. Do të ishte një gjë e lavdërueshme, por varet nëse palët kanë interes, nëse kanë dëshirë, por edhe tolerancën e nevojshme të lëshojnë pushtet nëse kjo kërkohet. Nga skalionet ku janë vendosur, kjo duket e pamundur. Një gjë duhet të jetë e panegociueshme: Partia Demokratike nuk mund të jetë parti e izoluar dhe të veshë nën qyrkun e së shkuarës, mëkatet e së shkuarës.

Cila është këshilla juaj për Sali Berishën dhe Enkelejd Alibeajn?

Nuk kam ndonjë këshillë konkrete, sepse njërin e respektoj për vendin që ka në historinë e PD-së, tjetrin për marrëdhënien institucionale që kemi. Zoti Berisha duhet të marrë përgjegjësinë e ndarjes së PD-së. Lëvizja e tij, e cila nisi si një nevojë për legjimitetin e tij personal mes demokratëve – të cilën, nga pikëpamja personale, e vlerësoj – por edhe si hakmarrje ndaj kreut të atëhershëm, z. Basha, duhet të kishte mbaruar bashkë me dorëheqjen e njeriut që ai vuri vetë në krye të PD-së. Këtë gjë z. Berisha e di shumë mirë, por ka vendosur ta mbysë me duart e tij krijesën e vet, i shtyrë nga mëria personale ndaj tradhtisë që iu bë, nga pasiguria e atyre që e rrethojnë e që mbase mezi presin t’i shkasë këmba, i shtypur nga titujt e padenjë që mori nga aleatë me të cilët dikur i bëri betejat për Shqipërinë evropiane, i paqetë nga aleati kohë që e ka lënë përgjithnjë, i fyer nga kundërshtari politik, i cili, edhe pse nuk i ka mbetur më moral e fytyrë të jetë në pushtet, vazhdon ta godasë paprerë, e mbi të gjitha, i zhgënjyer nga mosbesimi ndaj lidershipit të tij i një pjese jo të vogël të PD-së që tani është jashtë strukturave të Rithemelimit. Ai duhet ta çlirojë PD-në nga kurthi ku e ka futur vetë. Nëse jo, zvarritja e forcës sonë politike ka për të qenë e gjatë, e lodhshme. Z. Alibeaj duhet të komunikojë më shumë me të vetët. Të kesh më nën kontroll grupin parlamentar, nuk do të thotë ta kontrollosh, por të kujdesesh për mbarëvajtjen e tij, mbi të gjitha në orët e parlamentit ku pasqyrohet puna jonë dhe nervi ynë opozitar. Ka ardhur koha të dalim nga intimidimi që na ka ndodhur, të ndahet puna e grupit parlamentar nga puna e partisë, që të duket se nuk jemi duke pritur Mesian e paqenë. Në tërë këta muaj, z. Alibeaj ka mbajtur një barrë shumë të rëndë, shpesh me lëndime gati antinjerëzore nga një pjesë foltoristësh, edhe prej ca folkloristësh që flasin me kanun e libër shtëpie, që e etiketojnë dorëzanë të pushtetit të Ramës, që e kanë denigruar pa pikën e empatisë. Qetësia me të cilën z. Alibeaj i ka përballuar të gjitha këto, pa i fyer nxitësit e gjithë kësaj ploje, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, duke e ndier si detyrim njerëzor dhe politik të mos lëndojë demokratë, të mos hyjë në lojën e sharësit, të respektojë kapitalet njerëzore të secilit prej tyre, është një gjë që duhet respektuar.

Të mundësh një regjim të instaluar nga hallka më e fundit dhe deri në majën e shtetit, a është një mision i vështirë, i pamundur…?

Ky është ndryshimi mes diktaturave të reja dhe të vjetra, dhe nuk është vetëm problem shqiptar, por veçanërisht shqiptar për ne. Diktaturat e vjetra përdornin burgjet për të shtypur kundërshtarët politikë, diktaturat e reja përdorin kriminelët që duhej të ishin në burgje për të blerë vota dhe mbajtur në këmbë regjimin e tyre. Diktaturat e vjetra pillnin të varfër nga izolimi politik, diktaturat e reja pjellin të varfër nga grabitja që i bëjnë fondeve publike për pushtetin e tyre. Diktaturat e vjetra i kthenin mediat në organe të propagandës së tyre, diktaturat e reja i korruptojnë mediat me duke i bërë partnere në bizneset e tyre të mëdha në qendrat urbane. Diktaturat e vjetra e kontrollonin qytetarin përmes një sistemi arkaik shtypës të sojit të Sigurimit të Shtetit, diktaturat e reja përmes sigurimit të një komforti qytetar me anë të një sistemi matrikullimi publik të ngritur me taksat e tyre dhe faqe tyre.

Pse kaq shumë abuzime të qeverisë me fondet publike…? Pse nuk ndalojnë pagesat për inceneratorët apo rilindjen urbane? Ku po shkojnë paratë e shqiptarëve?

Paratë e shqiptarëve, siç e shihni vetë, janë kthyer në male tullash e betoni, në resorte turistike të oligarkëve, në tunele, aeroporte e porte që u shërbejnë vetëm fshatrave të tyre turistike. Qytete të ngulfatura, trafiku po ai, cilësi jete e përkeqësuar, administratë e politizuar, retorikë politike e ngarkuar, opozitë e skajuar, media e deformuar pas shtyllës së pushtetit, qytetarë të mërzitur nga atdheu i tyre. Kjo është panorama jonë e përditshme. Nëse nuk përgjigjen të papërgjegjshmit për zullumet, nuk do të mbeten më shqiptarë në këmbë këtu. Ndaj personalisht e di edhe përgjegjësinë time, edhe të grupit politik ku bëj pjesë dhe duke i parë kështu gjërat, e kuptoj edhe më qartë se pse Mark Tuein e quante politikën një “zeje aq serioze sa politikanët nuk duheshin përfshirë”.

Si është e mundur që me gjithë skandalet e saj, lidhjet me afera korruptive dhe krimin e organizuar, mazhoranca socialiste vazhdon të qeverisë e patrazuar nga asgjë, madje edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve?

Ne gjithmonë kemi kërkuar që punët të na i zgjidhin të huajt, kështu ka qenë përherë me shqiptarët, arsye pse edhe zullumin politik të tridhjetë viteve të fundit, mbajnë shpresë të na i zgjidhin të huajt, të cilët duket se e kanë marrë seriozisht kohët e fundit. Unë shpresoj që ta kanë seriozisht. Është e turpshme të presësh prej tyre, por korruptimi politik shqiptar, është kaq total dhe kaq i hollësishëm, sa shqiptarët nuk po e kuptojmë më dot gradacionin e helmit mes tyre, pasi tani është në përbërje të ajrit të ditës së tyre.

Çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti? Protestat apo vota e lirë?

Para kësaj pyetjeje, kemi një çështje të madhe për të zgjidhur: kjo klasë e djathtë politike a e di se ka këtë mision? Thyerja që mori Opozita pas shpalljes “non grata” të z. Berisha, kërkon kohë të riparohet. Duket se demokratët, të zhgënjyer mbase nga perceptimi mbi amfioksët politikë, janë në rropatjen për t’i besuar një figure të fortë, po kërkojnë një figurë me integritet për prijës. Por, edhe “hienat kanë integritet”, thotë J. Franzen diku, ndaj është e vështirë të orientohemi drejt, sepse nuk kemi punuar për promovimin e të rinjve. E thashë më lart, dhe po e përsëris: vetëm një lidership i ri demokratik i papërlyer, pa qyrkun e mëkateve të së shkuarës, një lidership që do të vijë nga një reformim i PD-së, do të sjellë një erë të re politike, një fjalor të ri evropian, një retorikë pro qytetarëve, do të rikthejë shpresën mes demokratëve, do të tërheqë forcat gri të këtij vendi, do të kthejë kah shpresa edhe mijëra socialistë të mërzitur nga qeverisja e papërgjegjshme e të vetëve dhe do ta kthejë opozitën në pushtet. Do ta shporrë Edi Ramën, regjimin mbytës që ai ngriti. Ndaj, po të nisim tani këtë reformë opozitare, zgjedhjet e vitit 2025 janë në erë të mbarë për demokratët, edhe vetë shqiptarët. Nëse jo, përgjegjësit të përgjigjen para demokratëve, dhe para shqiptarëve./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: