TIRANË

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se e ardhmja nuk është izolimi, por liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve. Rama tha në konferencën për mediat pas samitit të “Ballkanit të Hapur” se kjo nismë synon t’iu heqë barrën prodhuesve apo eksportuesve në kufi. Sipas tij, rritet shumë interesi për investime të huaja.

“Është afërmendsh që sot edhe pa Ballkanin e Hapur fare dhe pa këto marrëdhënie fare ndodhin ndërveprime në territor. Prodhuesit shqiptarë, eksportuesit shqiptarë kanë vite që eksportojnë në Ballkan, në Serbi dhe para se të vendoseshin marrëdhëniet. Ajo që Ballkani i Hapur po bën është që atyre t’iu heqë barrën e tmerrshme të presionit dhe pritjes në kufi.
Sot ka një fluks të caktuar aktivitetesh që ndodhin dhe njerëz që kanë nevojë për këtë gjë. Kjo sjell që shumë të tjerë të përfshihen në këtë hapësirë dhe të ndërveprojnë në këtë hapësirë. Rritet shumë interesi për investime të huaja nga jashtë, së pari duke vendosur garancinë e paqes. Patjetër që ndikimi pozitiv i gjithë këtij ndërveprimi shtrihet pastaj në të gjitha shoqëritë”, tha Rama.

Sa i përket Kosovës dhe kur mund t’i bashkohet ajo nismës, kryeministri tha se nëse duam që ta bëjmë Serbinë të kërkojë falje, duhet të kemi një strategji, dhe jo t’i biem këmbës o kështu si them unë s’ka se mbetesh vetëm. Ai theksoi se Kosova ka fituar luftën, por tani po humbet paqen. Lidhur me datën e samitit tjetër në Tiranë, ai tha se do jetë mes 25 dhe 31 dhjetorit.

“Ajo që duam ne të realizojmë është që të gjithë ata që ndërveprojnë në këto territore si eksportues, distributorë, sipërmarrës të mos kenë pengesa në kufi dhe të mos kenë 2 e 3 palë e më shumë palë akoma kontrolle, verifikime.
Të vendosim lirinë e lëvizjes. Kjo kërkon që burokracitë e këtyre vendeve të njehsojnë procedurat dhe të bëhet njohja respektive e të gjithë dokumentacionit të një vendi nga vendit tjetër. E gjitha është pjesë e objektivave të procesit të Berlinit.
Në procesin e Berlinit është që s’ka marrëveshje pa vendosur të gjithë. Kjo nuk është opsion, ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë. Patjetër që të gjithë do vijnë sepse nuk kanë ku shkojnë. E ardhmja nuk është izolimi, e ardhmja është liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave e shërbimeve. Për sa kohë BE nuk është gati dhe është në halle të mëdha të brendshme, ne çfarë duhet t’u themi njerëzve, prisni njëherë sa të futemi në BE apo se ne mendojmë njëherë që duhet të vijë Serbia të kërkojë falje. Janë procese që shkojnë paralelisht. Nëse duam që ta bëjmë Serbinë të kërkojë falje, duhet të kemi një strategji, dhe jo t’i biem këmbës o kështu si them unë s’ka se mbetesh vetëm. O kështu si them unë o s’ka merr pushkën e në rregull. Kosova ka fituar luftën, Serbia e ka humbur luftën. Tani Kosova po humbet paqen. Ky është fakti i dhimbshëm dhe i vërtetë. Kush është zgjidhja, Edi Rama është tradhtar. Nëse kjo e zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës jam gati ta mbaj me shumë krenari këtë damkë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb