Analisti Fatos Lubonja përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me situatën në vend para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Lubonja deklaroi se kryeministri Rama e ka bërë të qartë që ai e “kapërcen dhe shkel” ligjin, duke iu referuar bonuseve të fundit që ka premtuar kryeministri në lidhje me pensionet dhe pagat vetëm disa javë para zgjedhjeve vendore.

Sipas tij në vend kemi një “parti-bandë” që ka shkelje të panumërta, ndër to edhe rrjeti i patronazhistëve apo dhënia e parave të tërmetit para zgjedhjeve.

Sa i përket fushatës zgjedhore për 14 majin, Lubonja deklaroi se ajo është në përputhje me strategjinë e Ramës “përça dhe sundo” duke iu referuar ndarjes së opozitës dhe nxjerrjes së kandidatëve nga ana e Enkelejd Alibeajt në disa bashki.

Ai shtoi se kandidatët e Alibeajt janë për të çorientuar dhe ngatërruar pasi nuk dihet se kush është PD për disa, teksa vijoi duke thënë se në vend ekziston rreziku i vendosjes së një diktature “pak nga pak” pasi sipas tij ky elektorat është i çoroditur aq më tepër kur opozita duhet të jetë bashkë.

“Rama e ka bërë të qartë që e kapërcen ligjin dhe e shkel ligjin. Problemi ynë është se nuk ka kush ta ndëshkojë pasi drejtësia është e kapur. News24 e ka provuar vetë se si është shkelur ligji për kapriçot e pajustifikueshme. Rama kur ka pasur mundësi ka dhënë paratë e tërmetit në kohë zgjedhjesh, ka bërë favore për oligarkët e caktuar të cilët i kanë siguruar para ose mbështetje, etj. Shkeljet janë të panumërta. Ka organizuar rrjetin e famshëm të patronazhistëve që është sërish shkelje ligji. Kemi të bëjmë me një parti bandë që shkel vazhdimisht dhe ecën përpara sepse nuk i del përpara organizmi që ta ndalojë. Nesër e merr rezultatin edhe me letër. Të gjitha këto janë shkelje.

Këtu e kanë ngrënë reformën zgjedhore. Ai shkel ligjin dhe nuk ndërhyn asnjë gjyqtar, ky është grusht shteti. E kemi ngrënë këtë dhe bëjmë sikur jemi në demokraci. Shteti është vetë Rama. Si mund të japë llogari shteti në monarki absolute, kemi arritur në delire të tilla.

Fushata zgjedhore është në përputhje me strategjinë  e Ramës përça dhe sundo. Është në rrezik jo vetëm ndotja e Tiranës apo mungesa e gjelbërimit. Këto janë probleme por është në rrezik liria e njerëzve. Nuk jemi më të qetë në këtë vend sepse na sjell ky fadromat nesër e na prish shtëpitë apo bizneset. Ky e ka kapur drejtësinë dhe në vend të bashkohemi përçahen sa të munden. Një PD këtej dhe një andej. Në vend që të bashkohen gjithë opozitarët për të vendosur themelet, ne kemi përçarjen e tyre.

Kandidatët e Alibeajt janë për të çorientuar dhe ngatërruar pasi nuk dihet se kush është PD për disa. Rreziku është i vendosjes së një diktature pak nga pak. Ka një tirani të mazhorancës. Ky elektorat është i çoroditur aq më tepër kur opozita duhet të jetë bashkë. Këto zgjedhje duhet të ishin një përpjekje për opozitën që të përqendrohej para kësaj të keqeje të madhe.

Bejkon e shoh si figurë që ka hyrë për të marrë ca vota. Nuk e di çfarë e ka shtyrë drejt kandidimit, por mendoj se politikisht është gabim nisur nga nevoja për të pasur bashkim. Gjithë paratë e krimit të organizuar derdhen në bankën e PS-së, në bashkinë e Tiranës. Këto para përdoren për të gjitha veprimtaritë ku paguajnë dhe shantazhojnë njerëz. Në fillim e kam mbështetur Veliajn kur tha zero ndërtime në Tiranë, ndoshta kishin reflektuar. Ata jo vetëm që nuk reflektuan, por dolën ca mashtrues që i kanë hyrë Tiranës për ta ngrënë sa më shumë. Në fund do na lënë diçka të pabanueshme. Veliaj duhet të ishte me kohë para drejtësisë.

Më shumë se përçarje, nxjerrja e kandidatëve të Alibeajt tregon se këta janë pakicë. Nëse Rama i ka të gjitha në dorë dhe thotë se PD është ajo që dua unë. Ne mund të ngelemi edhe me këtë parti demokratike”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: