Kreu i PD Sali Berisha, pasi u la në “detyrim paraqitje” nga GJKKO për aferën “Partizani”, foli para mediave.
Berisha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv kryeministres Belinda Balluku. Ai tha se Rama, por edhe Balluku kanë vjedhur miliona e miliona euro dhe sërish nuk hetohen. Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë Ramën dhe Ballukun, në afera të ndryshme korruptive, ku sipas tij, janë përfshirë.
Sali Berisha: Edi Rama mori paratë e inceneratorëve. Ku kanë shkuar 80 milionë eurot e “Tigrave” të Lubisë, Belinda Ballukut? Pse SPAK nuk heton Ramën dhe Ballukun për këto afera? Ku kanë shkuar 120 mln euro të Chek Up, kur analizat nuk bëhen, ku kanë shkuar këto para? 60 mln euro të korrupsionit të Llogarasë Balluku i ndau me Ramën apo i vodhi? Këto skandale kapin shumën e 630 mln euro të vjedhura nga Rama e kompani. Mos llogarisim këtu tokën që mori në jug të vendit, nuk janë llogaritur Sarajet e Surrelit e as Parku 3800 metër katrorë. Këto pyetje do marrin përgjigjen më të shkëlqyer më 11 maj, nga qytetarët me votën e tyre të lirë.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Ftoj shqiptarët të pyesin Skapin ku kanë shkuar 130 milionë euro të djegësit të Tiranës. Të pyesin Skapin pse nuk heton Belinda Ballukun dhe Edi Ramën që kanë paguar 130 milionë euro pa vënë asnjë tullë. Pse nuk është marrë në hetim, ose në ndjekje, asnjëri nga njësia e mbikëqyrjes që kishte detyrë të raportonte çdo muaj për ecurinë e punimeve të djegësit që nuk ekziston. Të gjitha këto kanë një përgjigje, paratë i mori Edi Rama kryesisht, dhe pastaj i ndau me të tjerë. Të pyetet Skapi ku kanë shkuar 80 milionë euro për anijet fantazmë, Tigrat e famshëm të Belindës. Pse Spaki nuk heton Edi Ramën dhe Ballukun për këto para të vjedhura? Ku kanë shkuar 120 milionë euro të checkup dhe analizat nuk bëhen? Pse nuk hetohet Edi Rama për paratë që i ka dhënë financueses së tij, Vilma Nushi.
Kush mori 60 milionë euro të korrupsionit të tunelit të Llogarasë? I ndanë së bashku me Lubinë, apo i mori Rama kryesisht? Pse Skapi nuk heton për 110 milionë euro që mori Beketi për shkak të mbylljes nga Edi Rama të Agon Channel. Po mbi 105 milionë euro humbjet e Air Albania ku kanë shkuar? Pse nuk hetojnë Edi Ramën që paguan nga paratë tona të gjithë atë luks dhe qejfe personale? Të dashur qytetarë dhe qytetare, vetëm këto skandale që përmenda, kapin shumën 630 milionë euro të grabitur nga Edi Rama e kompani. Nuk janë llogaritur këtu 33 milionë euro toka e vjedhur prej tij në Gjipe prej 224 mijë metër katrorë. Nuk janë llogaritur këtu 38 mijë metër katror që i dha të vëllait duke ua marrë pronarëve tek Rrapi i Treshit. Nuk janë llogaritur këtu sarajet e Surrelit me themele dy herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha, as dhe parku 8300 metër katrorë. Këto pyetje presin përgjigje me datën 11 maj nga mbarë qytetarët shqiptarë. Do marrin përgjigjen më të shkëlqyer nga qytetarët më 11 maj me votën e tyre të lirë.
(Balkanweb)