Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 16-vjetorin e krijimit të Lëvizjes Vetëvendosje ka konfirmuar se bashkimi kombëtar me Shqipërinë mbetet ende objektiv në programin e tij qeverisës.

Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi Rama për një media serbe e cilësoi idenë e Shqipërisë së Madhe si një ‘’marrëzi më vete’’.

Ndërkohë Kurti mendon ndryshe, duke theksuar se bashkimi kombëtar është më shumë se bashkim me Shqipërinë.

“Edhe në programin e LVV-së bashkimi kombëtar, që është më shumë se bashkim me Shqipërinë, shihet si intencë historike që nuk e përzgjedhim ne por ajo neve”.- thotë Kurti.

Më tej ai shton se qeveria po përdor gjithnjë e më shumë mekanizma e instrumente për ta realizuar qëllimin, duke u afruar me Shqipërinë dhe për të ndihmuar shqiptarët kudo në Ballkan.

“Alternativa jonë qeverisëse është po ajo edhe synimet tona vazhdojnë të mbeten të njëjta, mirëpo ne përdorim gjithnjë e më shumë mënyra, gjithnjë e më shumë mekanizma e instrumente për ta realizuar qëllimin e njëjtë, të bëjmë hapa drejt afrimit me Republikën e Shqipërisë dhe t’i ndihmojmë shqiptarët kudo që janë në Ballkan që të faktorizohen sa më shumë e sa më shpejt“, shtoi kryeministri i Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb