Ish-presidenti Bamir Topi në emisionin “Kjo Javë” në News24 foli për zhvillimet në Partinë Demokratike.
Gjatë bisedës në studio me gazetaren Nisida Tufa, ish-presidenti u shpreh se opozita duhet të reagojë, ndryshe kryeministri Edi Rama do t’ja kalojë edhe Enver Hoxhës për qëndrimin në pushtet.
“Përderisa procesin elektoral e kontrollojnë vetëm dy parti politike, që në shumë raste janë edhe bashkëpunëtorë për të eliminuar të tretët. Në 2013 na vodhën na shkatërruan me vota. Fryma e Re Demokratike në nivel kombëtar i lamë 80 mijë vota zyrtarisht. E thonë vetë me zërin e tyre. Tani çfarë vlerë kanë shifrat që përmenden. E rëndësishme është që ne do shohim pafundësisht njerëz që do paguhen me rroga të majme në parlament, të jenë në opozitë të kenë pushtetin e opozitës. Do të shohim një kryeministër që i cili jam i bindur që në këto kushte do të kalojë edhe kohëzgjatjen e qëndrimit të Enver Hoxhës në pushtet”, u shpreh ai.
Pyetje: Rama qëndron në pushtet sipas jush për shkak të Berishës dhe të kësaj opozitë apo sepse ka prirje autoritare?
Bamir Topi: Të dyja
Pyetje: Ndihmojnë njëra-tjetrën?
Bamir Topi: Absolutisht. Kam përshtypjen se e ka pasur prirjen autoritare por i është forcuar gjatë rrugës. Filloi të bëhet më i pandjeshëm, filloi të shohë në krahun tjetër që sa kohë kishte figura të tilla e bënte gjumin rehat. Një kryeministër nuk mund ta bëjë gjumin rehat kur i ndodhin gjëra të tilla. Faktin që e bën gjumin rehat tregon që ka përballë ato që ka, dhe sigurisht e ndjen veten autoritarist.
Gjithashtu ai shtoi se kreu aktual i PD Lulzim Basha nuk duhet të mjaftohet me deklarata, por duhet të krijojë një program dhe t’i japë përgjigje publike disa pikëpyetjeve lidhur e vendimmarrjet që kanë ndodhur në PD.
“E kam inkurajuar Bashën sepse ka filluar të artikulohet për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Por nuk mjafton thjeshtë deklarata, një parti politike duhet të krijojë një program. Ai duhet që të hyjë në lojë fort, duhet t’i japë përgjigje publike disa pikëpyetjeve të mëdha të vendimmarrjeve më të çuditshme që kanë ndodhur në PD. Duhet të japë përgjigje për eliminimin në mënyrë të vazhdueshme të elitës së PD-së”, u shpreh ish-presidenti Topi.
(BalkanWeb)