TIRANE

Teksa kryeministri Edi Rama mbante fjalimin e tij në Kuvend me akuza e paralajmërime ndaj Ilir Metës për mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, ka ardhur reagimi i Presidentit.

Në një status në Facebook, kreu i shtetit, ka postuar një foto duke i uruar “mirëmëngjes” shqiptarëve.

“Mirëmëngjes miq! Drejt Kalabrisë tek Arbëreshë,” shkruan Meta, i cili shfaqet pranë analistit Ilir Kulla.


Kryeqeveritari  paralajmëroi Metën duke thënë nga foltorja e Kuvendit: “Shpresoj që kjo mos të shkojë përtej dekretimit. Koha mos e sjelltë.

Unë e di shumë mirë, sa kryeministra kemi parë që tallen me Presidentët, që nuk mblidhnin dot as sigurinë kombëtare.

Uhu sa ka kaluar Shqipëria me këtë votim të ministrave,” u shpreh Rama.

Ndërkohë Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka nisur sot vizitën zyrtare në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut

Gjatë kësaj vizite, Kreu i Shtetit shqiptar, do të takohet me Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe së bashku do të vizitojnë Kolegjin e Shën Dhimitër Koronës, ku do të takohen me arbëreshët, përfaqësuesit dhe autoritetet e tyre vendore, drejtuesit e bashkësive fetare arbëreshe, personalitete të ndryshme, pedagogë, studentë arbëreshë.

Në përfundim të takimit të dy Presidentët do të përurojnë një pllakatë për nder të 550-vjetorit të Heroit tonë Kombëtar.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: