TIRANË-Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, gjatë një takimi me të rinj të njësisë nr.5 dhe një grupi sportistësh i ka kthyer përgjigje deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa ka pohuar se pavarësisht saj, kreu i Ekzekutivit e ka vlerësuar për punën që ka bërë. Më tej, Kosova theksoi se nuk do të ndikohet nga këto deklaratat e Ramës, ndaj s’ndryshon gjë në konsideratën që ai ka për të.

Nga ana tjetër, Kosova bëri me dije se do ndërtohet një program i posaçëm për sportin. “Të jem i sinqertë që kur emri im doli për kandidat unë i jam veshur punës, i kam ndaluar njerëzit të më japin sinjale, qoftë edhe miq të mi, se jam i përqendruar aty ku do shkoj. Për kryeministrin Rama shpreh konsideratë për atë që ai gjithmonë e ka vlerësuar punën time, ka lavdëruar, edhe personalisht kemi folur edhe nga afër ma ka thënë. Gjëra të vogla që ju mi thoni nuk do ndikojnë në konsideratën, përkundrazi në bashki do t’i shtrij dorën çdo njeriu, nuk kam asnjë lloj kompleksi. Më shumë se qetësia nuk ka asgjë tjetër për fushatën”- tha ai.

Duke u ndalur në pjesën e fushatës, Kosova ka premtuar se do ndërtohet sistemi i komunikimit, si bashki e ardhshme çdo grup interesi do të ketë përfaqësim në Bashki, në mënyrë që talentet të kenë rrugën e hapur për ta bërë këtë qëllim. “Meqenëse vij nga sektori i shëndetësisë, vaksinë më të mirë për popullatën se sporti nuk ka. Unë si mjek dhe këta si sportistë, do infektojmë gjithë rininë që t’i ngjiten kësaj rruge që për të ardhmen e shëndetit të popullatës ka vlerë të madhe. Të shpenzojmë më mirë 5 lekë te sporti dhe të kursejmë 50 lekë për ilaçe”, tha Kosova.

Vetë kreu i PD-se, Basha e ka cilësuar rininë si zemrën e Partisë Demokratike. “Rinia është zemra e Partisë Demokratike. Me të rinjtë e njësisë numër pesë për fitoren e #HalimKosoves dhe për #punedhedinjitet”, – shkruan Basha në FB, duke postuar edhe foto të takimit.

Më herët, kryeministri Edi Rama e quajti Halim Kosovën, ‘doktor të lodhur’ teksa shpjegoi kandidimin e tij për zgjedhjet lokale të 21 qershorit për garën e drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: