Kryeministri Edi Rama zbuloi sot se është shpallur fituese për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës kompania e politikanit të njohur shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, Mabetex Construction (Mabetex Group).

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se Pacolli i kishte kërkuar prej kohësh që të investonte diçka në Shqipëri, që të linte gjurmë, dhe më në fund do ta ketë këtë mundësi.

Mes të tjerash, Rama foli dhe për përfitimet që do të sjellë ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, ku sipas tij, 1 euro e investuar aty, do të përkthehet në fitim 23 euro.

“Jam deputet në Vlorë, ku fati i mirë duhet, por fati i keq është se dihet padurimi i vlonjatëve, që kthehet në torturë, kur nuk ke gjë në dorë dhe shënjestrohesh si gënjeshtar, mashtrues, si njeri që harron për atë që premton, që nuk mban përgjegjësi, si manipulator. Kur ti e di se cila është e vërteta, fjalët, shpjegimet, duan punë të madhe.

Sot ne e kemi fituesin më në fund dhe jam shumë i lumtur që baza është një kompani e famshme, me vepra fantastike, që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit. Ky do ta ketë mundësinë të provojë investimin në Shqipëri, sepse sa herë takohemi më thotë ‘si nuk mu dha mundësia të bëjë diçka në Shqipëri, të lë gjurmë, të mbeten pjesë e veprës sime’.

Të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja, ku këto të fundit mund të jenë po kaq të mira e të interesuara, por në momente të caktuara bëhen krejtësisht të ftohta, shurdhe, qorre, përballë kërkesave që ti mund të kesh në raport me cilësinë dhe shpejtësinë e punës. Tanimë jam i bindur që nuk ka pengesa, të paktën nga ato që duken. Sot asgjë nuk na pengon të firmosim përfundimisht kontratën.

Përpara disa ditësh takova një mik nga Gjermania, ku duke diskutuar më kujtoi diçka që nuk është se ishte e paditur për mua. Një vepër publike, pavarësisht përmasave, në Gjermani merr 10 vjet. Kuptohet që kur flasim për vitet që merr një punë nuk janë vitet që merr eskavatori, por vitet që merr projekti që nga momenti që vendoset, deri kur realizohet. Projektet e mëdha që kemi në kantier, e që do të kemi së shpejti, nuk janë projekte që fillojnë të bëhen realitet, kur njerëzit shohin eskavatorin. Të gjitha ato që unë i postoj tani, janë punë të nisura prej vitesh. Aeroporti i Kukësit ka filluar vite më parë, ideja për të është e vjetër, premtimi është i vjetër, por puna për ndërtimin e tij ka filluar vite më parë. Nëse testimet e uljes së avionëve kanë filluar së fundi dhe nëse aeroporti do t’i hapë dyert përfundimisht, duke tërhequr nga aty të gjitha makineritë e ndërtimit, brenda disa javësh, kjo do të jetë finalja e një pune shumë të gjatë. Po kështu për këtë. Po kështu për Aeroportin e Sarandës. ministrja në ditët dhe javët në vijim do të publikojë garën ndërkombëtare për Aeroportin e Sarandës, besoj menjëherë pas firmosjes së kontratës për Aeroportin e Vlorës. Ambicia është të realizojmë vizionin e katër aeroporteve ndërkombëtare.

Ju them njerëzve që thonë ‘ne s’kemi bukë, ju bëni aeroporte’, aeroportet janë fabrika buke, se nuk janë stacione autobusi, ku njerëzit hipin e zbresin, por janë fabrika zhvillimi të madh ekonomik. Aeroportet sjellin jo vetëm punësim për ata që punojnë në aeroport, por sjellin punësim për gjithë hapësirën ku ata kanë ndikimin e tyre. Një aeroport sjell me vete shumë shërbime të reja. Duke rritur fluksin e njerëzve që vijnë, nevojat që krijohen nga këto flukse, aeroportet sjellin hotele, shërbime bankare të reja, manifakturë, fabrika të reja, një zinxhir gjërash. Është shkencërisht e provuar që çfarë investon në një aeroport ka një shumëfishim eksponencial. 1 euro e investuar në aeroport është minimumi 23 euro mbrapsht në ekonomi. Një nga problemet që do të lindë do të jetë mungesa e krahut të punës, pasi kërkohen një numër zanatesh dhe një numër kategorish profesionale, që është marramendës. Katër aeroporte për Shqipërinë janë vendosja e Shqipërisë në një nivel tjetër ekonomik e social. Bëhet realizimi i vizionit për të rinjtë dhe ata që punojnë. Me këtë aeroport do të hapet një tjetër kanal zhvillimi shumë i rëndësishëm”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb