TIRANE – Pas debatit që shkaktoi miratimi i ligjit për importin e mbetjeve, kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje të gjitha atyre që kanë shtruar pyetjen se përse Shqipëria nuk vepron si Gjermania për mbetjet, por detyrohet ti importojë ato.

Në një takim me përfaqësues të shoqatës së ricikluesve, Rama tha se për të bërë të mundur që çdo qytetar të kthejë në supermarket mbetjet e riciklueshme, duhet një partneritet publik privat, që të garantohet nga qeveria, dhe kjo ka kosto të mëdha.

Kryeministri zbuloi kështu se edhe për çështjen e mbetjeve është menduar si opsion Partneriteti Publik Privat, i konsideruar si një ndër risitë e kësaj qeverisjeje.

Sipas qeverisë, “një sërë sektorësh, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor kanë filluar të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore”.

“Pse nuk e bëjmë ne si në gjermani, që qytetarët të sjellin shishet në supermarket. Në Gjermani çdo shishe ka një ekstra që kush nuk e çon shishen mbrapsht nuk e merr këtë mbrapsht shtesën. Duhet një partneritet publik privat, ku shteti duhet të marrë rriskun që të garantojë privatin. Nëse privati bën një investim, duhet të garantohet nga shteti që ai të marrë rriskun, sepse qytetarët mund të mos vijnë masivisht për të sjellë shishet e ujit apo qumështit apo kanaçeve. Por kjo mund të konsiderohet si taksë ekstra. Ne jemi ngurrues sepse ka një kosto, pavarësisht benefitit të madh që ka. Unë kërkoj nga industria, që të krijojmë një sinergji së bashku me pushtetin vendor, për ta shfrytëzuar dhe këtë moment ku ka një sensibilizohet që të adresojmë nevojën e ngritjes së sistemit të ndarjes në burim. Tirana do të hyjë në këtë skemë në javët në vijim. Shumë mirë që jemi të ndjeshëm në këtë skemë, por duhet të jemi nga ana tjetër të ndjeshëm dhe në raport me mjedisin.”- deklaroi Rama.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: