Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i vlerëson si njerëz të nderuar dhe personalitete të nderuar 12 ushtarakët në rezervë që Kryeministri Rama emëroi në krye të prefekturave të vendit. Në një intervistë për “Panorama”, Imami thekson se me shumë prej ushtarakëve të emëruar si prefektë ka punuar dhe ka realizuar reforma të rëndësishme për futjen e Shqipërisë në NATO. 

Ish-ministri është kundër logjikës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, se prefektët e rinj do të jenë shërbëtorë të Kryeministrit Rama. Sipas Imamit, prefektët e rinj nuk do të jenë shërbëtorë, por për shkak se janë vendosur në ato detyra për qëllime propagandistike dhe manipulim të opinionit publik, nuk do të kenë rezultate.

Z. Imami, ju jeni një njohës i mirë dhe bashkëhartues i Kushtetutës së Shqipërisë dhe gjithashtu ish-ministër i Mbrojtjes. Si ka tingëlluar për ju lëvizja e kryeministrit për të emëruar në krye të 12 qarqeve të vendit si prefektë 12 ushtarakë në rezervë?
Nuk ka pasur ndonjëherë ushtria shqiptare tentativa për grusht shteti, nuk jemi në Amerikën Latine. Nuk shoh një rrezik të tillë. Ashtu siç nuk shoh që duke vendosur 12 ushtarakë, personalitete, njerëz të nderuar, me kapacitet, me gjysmën e tyre kam punuar dhe i njoh personalisht, do të mund të zgjidhet problemi i luftës kundër kriminalitetit. Aq më tepër duke marrë parasysh detyrat konkrete që ka prefekti sipas legjislacionit shqiptar. Kam përshtypjen më tepër sesa një masë efektive për të vendosur ligjshmërinë, kryeministri ka dashur të thotë që do vendosë njerëzit në rresht. Në këtë mënyrë, kryeministri e ka kompromentuar figurën e disa prej këtyre ushtarakëve, sepse ushtarakët nuk janë njerëz për të vënë njerëzit në rresht. Nuk është ushtria e Enver Hoxhës që vë njerëzit në rresht. Ushtria shqiptare është një ushtri moderne.

Cili është vlerësimi personal që ju keni për këta ushtarakë? Kujtojmë se me disa prej tyre keni punuar gjatë kohës që mbanit detyrën e ministrit të Mbrojtjes?
Midis atyre njerëzve ka nga ata që nuk janë njerëz të konceptit të vjetër të ushtarakut që qëndron me kamxhik në dorë. Ashtu sikurse nuk jam i mendimit që ata janë shërbëtorë. Mundet që të kenë iluzione për politikën dhe vendin që po futen, por kjo është krejt normale. Mundet që të mos kenë rezultate dhe sigurisht që rezultatet do të jenë shumë të pakta për sa kohë Kryeministri është kreu i trafikut të drogës në Shqipëri. Por që ata nuk janë pjesë e një bande dhe nuk janë banditë, kjo është e sigurt. Ata me të cilët kam punuar unë janë njerëz të nderuar, njerëz me kapacitete të larta intelektuale, planifikuese dhe zbatuese.

Nuk mendoni se prishet rendi kushtetues me emërimin e 12 ushtarakëve në krye të qarqeve?
Jo. Sigurisht ata janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe mund të emërohen në çdo vend pune. Është shumë mirë që ushtarakët e lartë të vendosen në nivele të mira të administratës. Por është çështje tjetër efektiviteti i tyre, është çështje tjetër qëllimi i keq për të bërë zhurmë sikur po lufton krimin i Edi Ramës. Sigurisht që është pa sens që të marrësh në një ditë të vetme 12 njerëz, të cilët kanë shërbyer në një pozicion të caktuar dhe t’i çosh në këtë punë. Ashtu siç duhet thënë që ka disa që prej më shumë se 10 vjetësh nuk janë në kontakt me punën. Çdo emërim duhet parë njëri pas tjetrit dhe jo të gjithë në grup. Vendosja në bllok e 12 ish-ushtarakëve në postet e prefektëve sigurisht që nuk tingëllon bukur. Për hir të së vërtetës nuk tingëllon bukur. Do të jetë pa rezultat, por është vetëm me qëllime propagandistike, për manipulimin e opinionit publik, siç është normale në qeverisjen e Edi Ramës prej 4 vjetësh./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: